Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar sot se procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve në kuadër të zgjedhjeve lokale ka përfunduar në nëntë komuna të vendit, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në konferencën e sotme për media se aktivitetet po vazhdojnë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), ndërsa në disa prej tyre tashmë procesi është mbyllur me sukses.
“Deri më tani, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur në nëntë komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë,” tha Elezi.
Sipas tij, pritet që deri në fund të ditës kësaj liste t’i shtohen edhe disa komuna të tjera, pasi procesi i verifikimit të rezultateve është duke avancuar në shumicën e QKN-ve.
“Në këto qendra po bëhet verifikimi i rezultateve për zgjedhjet e kryetarëve të komunave dhe për Kuvendet Komunale, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale,” theksoi ai.
Elezi po ashtu bëri të ditur se deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 1,133 vendvotime për kryetarë komunash dhe 1,084 vendvotime për Kuvendet Komunale, ndërsa po nga kaq vendvotime janë numëruar votat e kandidatëve për kuvende komunale.
Rezultatet nga këto procese, sipas tij, po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së resultslocal2025.kqz-ks.org, ku qytetarët mund t’i shohin të dhënat vendvotim pas vendvotimi.
“Procesi po zhvillohet me transparencë të plotë, dhe rezultatet e verifikuara po publikohen në kohë reale në platformën e KQZ-së,” shtoi Elezi.
Elezi shpjegoi edhe për fletvotimet e rezufuzuara që ishin rreth 2 mijë e 400.
“Deri të mërkurën në orën 16:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë pranuar, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 18,000, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 15,600, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,400. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2,358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi.