Veriu i Kosovës pas zgjedhjeve lokale dhe “ekspertët e sigurisë” nga radhët e opozitës

Prishtinë | 13 Dhj 2025 | 10:56 | Nga Ibrahim Shala

Si reagim ndaj shtrirjes së sovranitetit në Veri të Kosovës nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, për shkak të mbylljes së institucioneve paralele të shtetit të Serbisë dhe eliminimit të strukturave të sigurisë së saj që vepronin në Veri të vendit, Lista Serbe e instrumentalizoi një pjesë të qytetarëve serb për protesta dhe revolta me grumbullime në rrugë, duke penguar qarkullimin e lirë. Këto protesta ishin të pasuksesshme sepse nuk patën ndonjë efekt në revokimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Lista Serbe si partia më e madhe dhe dominuese e komunitetit serb në këto komuna, në nëntor të vitit 2022 në shenjë pakënaqësie urdhëroi të japin dorëheqje pjesëtarët serb të Policisë së Kosovës, të gjyqësorit dhe prokurorisë.

Për shkak të vakumit të krijuar në Veriun e Kosovës ku bëjnë pjesë 4 komuna (Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku), me 23 prill 2023 u organizuan zgjedhjet komunale të posaçme. Këto zgjedhje i bojkotoi Lista Serbe me shpresën se kështu do të dëmtonte Qeverinë Kurti, duke i shtyrë ndërkombëtarët që ta ndëshkojnë atë. Udhëheqjet komunale u plotësuan me ata (shqiptarë dhe boshnjak) që morën pjesë në zgjedhje, të cilat u njohën edhe nga ndërkombëtarët sepse procesi ishte i rregullt. Lista Serbe e mori mësimin e mësuar, e kuptoi se kishte gabuar në llogaritë e saj, me porosi të re nga Beogradi, ajo mori pjesë në zgjedhjet e fundit lokale të 12 tetorit 2025. Është e dëshmuar shumë herë në politikë, se kush bojkoton zgjedhjet e ka dënuar vetveten. Prandaj në bazë të ambicieve për të ndikuar në rrjedhat e politikës së Kosovës përmes komunitetit serb, dhe e trimëruar nga fakti, se ajo nuk u ndëshkua ligjërisht për shkak të lidhjeve me grupin diversantë të Radojqit, si në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, edhe në këto zgjedhje lokale Lista Serbe mori pjesë dhe doli ‘fituese’ edhe në 4 komunat e Veriut. Pritej me shumë kureshtje dhe vëmendje, sidomos nga partitë opozitare, se çfarë do të jetë sjellja e Listës Serbe pas konstituimit të qeverisjeve komunale në rrethanat e reja?

Pas zgjedhjeve lokale, posa doli rezultati se në 4 komunat veriore me shumicë të komunitetit serb ka fituar Lista Serbe, disa analistë të opozitës u ngutën ta akuzojnë Kryeministrin Albin Kurti, se e tërë përpjekja e tij për të shtrirë sovranitetin edhe në Veri doli e dështuar. Se gjendja do të kthehej aty ku ka qenë para se të vjen në Qeveri Kurti, se e tëra ishte popullizëm, ishte propagandë, ishte marrëveshje me Vuqiqin, shihni se serbët dhe Lista Serbe janë kthyer nëpër komuna, ata kanë dalë në sheshe dhe kanë manifestuar fitoren me flamuj të Serbisë dhe kanë brohoritur ‘Kosova është Serbi’ etj. E para, këta analistë dhe “ekspertë të sigurisë” qëllimisht e ‘harrojnë’ gjendjen si ka qenë Veriu për 20 vjet, para se të vinte Kryeministër Albin Kurti.

E dyta, me zor bëjnë budallain prej vetit, duke shkelur rregullat e analizës dhe duke prodhuar projeksione imagjinare partiake për realitetin në veri, dhe me poza prej eksperti i shesin si të vërteta opinionet personale.

E treta, se vërtetë është kthyer sovraniteti në Veri, përveç “ekspertëve të opozitës” këtë fakt e kanë kuptuar qytetarët serb dhe shqiptar, këtë realitet po e di Evropa, Serbia edhe zogjtë e malit.

E katërta, logjikisht ka qenë e ditur që më parë se në komunat e banuara me shumicë nga komuniteti serb si në Veri edhe në Jug, që zgjedhjet lokale do ti fitojnë partitë serbe, konkretisht Lista Serbe. Politikisht nuk është problemi pse ka fituar Lista Serbe, por juridikisht dhe në aspektin e sigurisë, është e pa kuptueshme pse nuk është penalizuar Lista Serbe si krah politik i grupit paramilitar të Millan Radojqiqit.

Mos ndëshkimi ligjor i Listës serbe për lidhjet me grupin kriminal diversant të Radojqiqit, është dobësi e jurisprudencës së Kosovës, organeve të sigurisë dhe forcave politike në përgjithësi. Nga kronikat e mediave nuk na rezulton ndonjë deklaratë publike, apo vendim qeveritar që Kryeministri Kurti ka deklaruar: Se do të ndalohet pjesëmarrja e subjekteve politike serbe në zgjedhjet komunale; Se qytetarët serb nuk kanë të drejtë të votojnë për partitë e tyre të preferuara; Se qytetarët serb nuk do të përdorin gjuhën e tyre amtare; Se qytetarët serb nuk do të përdorin simbolet e tyre kombëtare; Se partitë politike të komunitetit serb nuk kanë të drejtë ti gëzohen fitores me zgjedhësit e tyre; Se serbët duhet të shpërngulen nga Veriu i Kosovës; Se duhet të suprimohen të drejtat kushtetuese dhe ligjore për komunitetin serb. Gjëra të tilla nuk janë thënë askund dhe asnjëherë sepse nuk ekzistojnë as si ide, as si qëndrime, as si qasje dhe as si vendime qeveritare.

Të gjitha këto janë projeksione dhe pritshmëri të opozitës, të analistëve dhe ekspertëve të saj të propagandës, që duan t’ia veshin Kryeministrit Kurti, t’ia saldojnë diku në fjalimet e tij, ata i caktojnë edhe pozicionin si në tabelë të qitjes se ku duhet dhe si duhet të qëndroj ai, deri dhe me çfarë ngjyra duhet të jetë i veshur. Kur realiteti i demanton dhe e prish këtë projeksion të tyre, ata nervozohen, shajnë Kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e tij. Ata shajnë nga urrejtja edhe punët e mira që janë kryer në të mirë të sigurisë së vendit, integritetit dhe sovranitetit të shtetit nuk i pranojnë dhe nuk duan ti shohin, ata janë si mamitë e këqija që bashkë me ujin e fëlliqur e gjuajnë edhe beben. Ata përpiqen ta shtyjnë Kryeministrin Kurti që disi të kriminalizohet, sepse shpresojnë që pastaj vije ndëshkimi i shumë pritur nga Bashkësia Ndërkombëtare, ose së paku të ngecet peng i deklaratave të tij publike e të akuzohet për mos përmbushje të premtimit, dhe për pasoj të zhvlerësohet si politikan dhe burrështetas, dhe në fund fare këtij tregimi mundësisht t’i shtohet edhe pak anti amerikanizëm artificial se këtë e ha populli. Me këtë lloj qasje, “ekspertët” e propagandës dhe sigurisë nga radhët e opozitës gabojnë, sepse ka edhe një qasje të tretë, ajo që e ndjek Kryeministri Kurti, e që është zbatimi me konsekuencë i Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit të Kosovës.

Qeveria Kurti, institucionet shtetërore të sigurisë, forcat politike në pushtet dhe ato në opozitë, duhet të pengojnë dhe dënojnë pa hezitim angazhimet e Serbisë që përmes partive politike të shtrijë struktura shtetërore ilegale në Kosovë. Aktivitetet e tilla duhet të pamundësohen dhe ndëshkohen me ligj si veprimtari armiqësore dhe anti shtetërore, si veprimtari që duan të rrënojnë rendin kushtetues të Kosovës. Nuk duhet të lejohen qytetarët serb, që në emër të drejtave nacionale dhe qytetare që ju garanton kushtetuta, të gabojnë dhe t’i keqpërdorin ato dhe veten e tyre, duke u shndërruar në misionar të Beogradit dhe strukturave të sigurisë së Serbisë për qëllime ekspansioniste dhe shoviniste, sepse kjo veprimtari është e dënueshme me ligj.

Gabimi dhe sfida kryesore e Listës Serbe është pretendimi, se ajo nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të jetë organizatë politike me mision nga Beogradi, e jo përfaqësuese e interesave të komunitetit serb në Kosovë. Si dëshmi të vazhdimësisë së kursit të saj politik të më hershëm, e që është koncept dhe qasje shoviniste, duke përdorur slloganin ‘Kosova është Serbi’ nga liderët dhe eksponentët e saj, si dhe përdorimin e emrit ‘Kosova i Metohija’ në vend të emrit zyrtar Kosovë, është qasje e gabuar. Emërtim ‘Kosova dhe Metohija’ bashkë me slloganin ‘Kosova është Serbi’ nuk janë lojëra fjalësh, janë strategji, janë qëndrime armiqësore të Serbisë karshi shtetit të Kosovës, është qëndrim i hapur i saj kundër integritetit dhe sovranitetit me qëllim të përgatitjes së terrenit për ripushtim të Kosovës.

Nga ky këndvështrim, nga Qeveria e Kosovës duhet t’i bëhet e qartë komunitetit serb, opozitës vendore dhe aleatëve evropian dhe amerikanë, se parullat dhe propaganda antishtetërore nuk lejohet dhe është e dënueshme. Simbolet shtetërore dhe emërtimi zyrtar i shtetit janë të obligueshme për të gjitha nivelet e qeverisjes dhe në tërë territorin e shtetit. Nuk ka dy kategori të të drejtave për komunitetin serb, një për jug e një për veri. Shteti dhe ligjet janë një, se integriteti dhe sovraniteti i shtetit janë mbi të gjitha.

Po ashtu nuk qëndron argumentimi spekulativ dhe jo logjik, i “ekspertëve” të sigurisë dhe analistëve të opozitës, kur bëhet barazimi i një subjekti politik (Listës Serbe) me tërë komunitetin, sepse edhe komuniteti serb jeton në demokraci shumë partiake, edhe ai ka dhe mund të nxjerrë subjekte të reja politike përveç atyre ekzistuese. Edhe partitë e komunitetit serb, pavarësisht se si emërtohen ato duhet ta kuptojnë kushtin e parë, se asnjëra prej tyre nuk do të lejohet të kryej detyra subversive me porosi nga Beogradi. Këtë qasje dhe veprimtari duhet ta ndalojë Qeveria e Kosovës me forcën e shtetit, duhet ta ndalojnë organet e sigurisë dhe drejtësisë, po ashtu duhet ta dënojnë shtetet perëndimore evropiane dhe SHBA, por për më tepër duhet ta dënojnë edhe partitë politike të opozitës bashkë me ‘analistët dhe ekspertët’ e saj të sigurisë si pretendent për të marrë qeverisjen e vendit, sepse duhet ta kuptojnë se shteti dhe siguria e tij janë mbi interesat partiake të momentit. Çdo qëndrim tjetër është anti shtet, sepse dëmton integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme