Veriu zbaton gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore të Vuçiqit

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 10:45 | Nga Ekonomia Online

Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë vendosur ta zbatojnë gjendjen e jashtëzakonshme (edhe orën policore) të cilën e ka shpallur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Të ashtuquajtura Organe të Përkohshme, që në fakt janë komunat paralele kanë urdhëruar banorët që ta respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të Vuçiqit. Të ashtuquajtura Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos del nga shtëpitë e tyre prej orës 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.

“Pasi që Serbia ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa nga sot edhe orën policore, Organi i Përkohshëm i Mitrovicës së Veriut, respektivisht Shtabi i Krizës për situatë të jashtëzakonshme ka marrë vendim me të cilin ndalohet lëvizja në periudhën prej orës 20:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit, derisa për pensionistët dhe persona më të vjetër se 65 vjeç vlen ndalimi i plotë i daljes nga shtëpitë. Ushqimin dhe barnat do t’i sjellin vullnetarët dhe të afërmit, të cilët mund të thërrasin në telefonat përkatës prej orës 8:00 deri në ora 18:00. Ndalimi i lëvizjes nga ora 20:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit vlen edhe për të gjithë taksitë dhe transportuesit privat, derisa të gjitha objektet ushqimore me pakicë kohën e punës do ta përshtatin prej orës 6:00 deri në ora 19:30. Qytetarëve u rekomandohet që t’u përmbahen këshillave të mjekëve, që t’i mbajnë maskat dhe dorëza nëpër shitore dhe barnatore dhe gjatë takimeve me njerëz të mbajnë distancë prej 2 metra”, thuhet në njoftimin e komunës veriore të Mitrovicës, shkruan Zëri.

Se kush do ta zbatojë urdhrin e Organit të Përkohshëm, për faktin se organet serbe të sigurisë dhe rendit, pastaj organet gjyqësore, fillimisht janë suspenduar në vitin 1999, e pastaj me marrëveshjen e Brukselit janë shuar, Organi Përkohshëm, apo kryetari paralel i Mitrovicës, Aleksandër Spiriq nuk e ka thënë.

Në anën tjetër, par dy ditësh, të gjitha komunat paralele të Kosovës kanë vendosur masën e ashtuquajtur “obligim pune” për të gjithë të punësuarit në ndërmarrje publike dhe institucione. Kryetari paralel i Zveçanit, Ivan Todosijeviq, ka mbledhur Shtabin e Krizës në të cilin është diskutuar për gjendjen. Todosijeviq ka thënë se furnizimi me artikuj ushqimorë dhe me barna është i kënaqshëm, derisa ka njoftuar se në territorin e komunës së Zveçanit ndodhen dy persona që kanë arritur nga Franca dhe ata janë duke e respektuar masën e vetëkarantimit. Sipas tij, komuna e Zveçanit ka 1850 persona mbi 65 vjeç, 26 persona mbi 65 vjeç që jetojnë vetëm. “Deri me tani nuk ka të prekur nga COVID – 19. Shërbimet komunale kanë intensifikuar aktivitetet, të gjitha rrugën janë pastruar, ndërsa nga sot do të bëhet dezinfektimi i tyre për çdo dy ditë. Është kryer dezinfektimi i të gjitha objekteve të ndërmarrjeve publike në territorin e komunës së Zveçanit”, ka thënë kryetari paralel i Zveçanit, Ivan Todosijeviq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme