Shumë ekonomi familjare dhe biznese janë dëmtuar në Vushtrri, si pasojë e vërshimeve gjatë ditëve të kaluara, që përfshin gjithë vendin.
Kryetari i kësaj komune Xhafer Tahiri, në një intervistë për Ekonomia Online tha që vërshimet kanë qenë të mëdha duke i cilësuar si një katastrofë natyrore.
“Kemi pasur vërshimet më të mëdha nga viti 1979 e tutje, ku afër 500 familje kemi pasur nën ujë dhe poashtu janë me mijëra hektarë të mbjella bujqësore që aktualisht janë nën ujë”.
Tutje kryetari shpjegon edhe dëmtimin e ekonomive familjare dhe dëmet e fermave të njerëzve, por pa anashkaluar ndihmesën e ekipeve të shpëtimit, që kanë qenë gjithmonë në gatishmëri.
“Janë dëmtuar shumë ekonomitë familjare, këto shtëpi që shihni të gjitha kanë qenë të mbuluara nga uji dhe poashtu kemi pasur shumë dëme nga fermat e njerëzve e kështu me radhë, dhe krejt koncentrimi ynë ka qenë që të ndihmojmë evakuimin e banorëve bashkë me ushtrinë e Kosovës, bashkë me vullnetarët si: Shoqata e peshkatarëve, shoqata e zhytësve Trepça, emergjencat komunale, dhe i kemi dalë në ndihmë e i kemi evakuuar afër 100 familje”, u shpreh Tahiri
Kryetari Tahiri esenciale e sheh realizimin e projektit që të kompensohen të gjitha dëmet e banorëve dhe të rregullohet shtrati i lumit Sitnica
“Pra esenciale në këtë projekt është që përveç që të ndihmohen dhe të kompensohen banorët të rregullohet shtrati i lumit Sitnica, në mënyrë që të mos kemi vërshime të tilla në të ardhmen” deklaroi Tahiri.
Tahiri gjithashtu përmend edhe njërën nga shkollat afër lumit Sitnica e cila është përcaktuar pikërisht për strehim për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për banim.
“Kemi caktuar këtë shkollë këtu si qendër për strehim, dhe kemi shtretërit e gatshëm por vetë banorët me vetë dëshirë janë përcaktuar që të strehohen tek familjarët e tyre ose në katet e sipërme të shtëpive”, tha mes tjerash Tahiri
Tashmë që gjendja është më stabile dhe me e qetë sipas kryetarit Tahiri, ai tha që tashmë janë të koncentruar në daljen në terren për të parë më për së afërmi dëmet e shkaktuara dhe të paraqesin raportin tek qeveria e Kosovës
Tahiri përmend dhe nuk anashkalon, edhe ndihmën e kryeministrit Hoti dhe të qeverisë në përgjithësi kundrejt ndihmës ndaj komunës së tij.
“Kemi premtimin edhe të kryeministrit Hoti edhe të qeverisë së Republikës së Kosovës, që do të ndihmohemi, e do të ndihmohen qytetarët dhe komuna e Vushtrrisë”, theksoi kryetari Tahiri
Shkolla të cilën përmendi kryetari, ai jep detaje më të hollësishme rreth akomodimit dhe kushteve në shkollë, e cila posedon të gjitha kushtet për banim edhe pse askush deri tani nuk ka kërkuar strehim.
Tahiri rithekson faktin që të gjitha ekipet kanë dërguar ujë dhe ushqime tjera për të gjithë banorët e shumë lagjeve dhe fshatrave.
“Tash jemi me gjitha ekipet duke dërguar ujë dhe ushqime tjera tek zonat më të goditura sikurse kjo lagje këtu pastaj në Pestovë në Nedakoc, dhe në fshatin Prellushë që është i banuar me komunitetin serb dhe me komunitetin romë, në gjitha këto vende po dërgohet ujë dhe ushqime”, deklaroi Tahiri.
Ai tha që banorëve do ju merr kohë sistemimi në shtëpitë e tyre pasi është periudha e dimrit dhe merr kohë më të gjatë, dhe tutje informon qytetarët që të gjitha njësitë ndihmëse janë në shërbim si: 112 për ndihmën emergjente dhe 194 për ndihmë mjekësore që sado pak të kenë më të lehtë qytetarët për adresimin e kërkesave të tyre.