Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarës F.S., lidhur me akuzën për vrasjen e motrës T.S në Fushë-Kosovë, e cila ishte dënuar me 7 vite burgim. Po ashtu, të akuzuarës i ishte shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarës F.S., ishte shpallur më 15 mars 2023 nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e Apelit, të marrë më 14 korrik 2023, thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtësit së të akuzuarës F.S., avokates, Halit Shaljani, ndërsa aktgjykimi i Themelores, i marrë më 15 mars 2023 është vërtetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kolegji i kësaj gjykate ka vlerësuar sipas ankesës së ushtruar nga ana e mbrojtësit së të akuzuarës F.S., avokat Halit Shaljani, dhe ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale aktgjykimi nuk përfshihet me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas Apelit, Gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë dhe të plotë, ka përpiluar aktgjykimin, e po ashtu edhe dispozitivi i të njëjtit është i qartë, i kuptueshëm, në harmoni me vetveten.
Në vendimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar se e akuzuara ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë gjendje të aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore, nga neni 173 par.1 pika 1.3 lidhur me nenin 18 par.2 të KPK, duke e privuar nga jeta motrën e vet, dhe në mënyrë të qartë e ka bërë përshkrimin e veprës penale të kryer, të cilën e ka kryer në gjendje esencialisht të zvogëluar mendore, rrethanë të cilën e ka pasur parasysh gjatë të gjithë procedimit.
Sipas kolegjit të Apelit, me dënimin e këtillë të shqiptuar, do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandaloj kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e saj, të parandaloj personat e tjerë, nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale.