Këngëtarja e njohur shqiptare, Vesa Luma, ka qenë e ftuar së fundmi në një nga kronikat e emisionit “Prive”.
Ajo i është përgjigjur 50 pyetjeve që lidhen me jetën e saj personale dhe atë profesionale.
Sigurisht që kureshtja më e madhe për fansat vazhdon të mbetetet fakti se si ajo dhe bashkëshorti i saj, reperi Big basta, morën vendimin që të shpërnguleshin për në Zelandën e Re.
“Ashtu si krejt shqiptarët edhe ne, në momentin që e kemi bërë Lianin [djalin], atëherë e kemi parë përnime se çka i duhet jetës dhe çfarë do njeriu prej vetes, kështu që kemi vendosur t’ia sigurojmë atij një të ardhme më të mirë dhe një siguri”, ka treguar fillimisht Vesa.
Tutje, këngëtarja nga Prishtina ka bërë të ditur se pse familja zgjodhën pikërisht vendin e largët për të jetuar.
“Zelanda e Re sepse kemi miq atje edhe ne kemi pasur një turne në Australi para disa vjetësh dhe aty e kemi parë Australinë dhe kemi thënë se në një të ardhme të afërt duhet patjetër ose në Australi ose Zelandë të Re. Ne jemi tipa avanturistë shumë, kemi qejf shumë të shohim, të vizitojmë, të përjetojmë gjëra të reja edhe Zelanda na u duk opsioni më i favorshëm që nuk i biem pishman hiç”, ka thënë tutje ajo.
Pavarësisht largësisë, Vesa ka treguar se vazhdon të jetë shumë e lidhur me Kosovën dhe mundohet të vizitojë familjen e saj në Prishtinë së paku një herë në vit. /Telegrafi