Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), Kadri Veseli në tubimin e sotëm me qytetarë të Kamenicës, ka premtuar se nuk do të mbyllet as një shkollë në këtë komunë, si dhe nga viti i ardhshëm Kamenica do të ketë lidhje të veçantë me autostradën e Gjilanit.
Po ashtu Veseli tha se në këtë vend kufitar do të ketë perspektivë ekonomike, integrim në BE, gjithnjë në bashkëpunim me ShBA-në.
Veseli tha se PDK ka projekt të realizueshëm për rininë, ndërmarrësit dhe bujqit.
“Për Kamenicën kam një mesazh, ju jeni zonë kufitare, andaj është interes strategjik i Republikës Kosovës që të qëndroni në Kamenicë. Projekti im për Kamenicën, do të jetë që në vitin e ardhshëm do të fillojmë lidhjen e Kamenicës me autostradën e Gjilanit. Po ashtu shumë shpejt dhe janë siguruar 10 milionë euro nga Qeveria e Kosovës dhe 49 milionë nga partnerët tanë që më kurrë mos të ketë problem me ujë të pijes për qytetarët e Kamenicës. Edhe një mesazh për këtë vend të interesit strategjik, se nuk është e mençur dhe as politikë e duhur me i mbyllë shkollat nëpër vendbanimet kufitare. Pra, asnjë shkollë nuk do të mbyllet në komunën e Kamenicës”, tha Veseli.
Kandidati për kryeministër nga PDK, Kadri Veseli theksoi se ky rrugëtim është për ti dhënë shpresë vendit dhe me 6 tetor do të finalizohet fitorja që është një referendum për Kosovën.
“6 tetori është referendum për Republikën e Kosovës. 6 tetori e përcakton drejtimin politik dhe strategjik. Do të jetë një qeveri e koalicionit i cili e forcon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e forcon qytetarin tonë duke zhvilluar ekonominë e Kosovës, duke i fuqizuar të rinjtë, ndërmarrësit, fermerët dhe intelektualët”, deklaroi ai.
Kryetari i degës së PDK-së në Kamenicë, Bajram Dermaku theksoi kjo parti prioritet ka luftimin e korrupsionit dhe kërkoi mbështetjen e qytetarëve për kandidatë për deputetë nga kjo komunë, që janë Hakif Spahiu dhe Ibadete Ahmetaj.