Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përkujtuar sot masakrën e Studimes, ku në këtë fshat më 2 maj qindra civilë u vranë nga njësitet ushtarake serbe.
Veseli në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se vrasja e civilëve nga forcat serbe u bë vetëm pse ishin shqiptarë dhe aspironin lirinë.
“Sot bëhen 19 vite nga masakra e Studimes. Në këtë fshat të Vushtrrisë, me 2 maj 1999, qindra burra, të rinj e të moshuar, u vranë mizorisht nga njësitet ushtarake serbe. Vetëm pse ishin shqiptarë. Vetëm pse aspironin lirinë. Dhe, sa më shumë që afrohej liria, aq më i egër e çnjerëzor bëhej pushtuesi, por Kosova mbijetoj. Ëndrra për liri u bë realitet. Realitet do të bëhet edhe drejtësia për viktimat e pafajshme të Studimes, e të dhjetëra masakrave tjera të kryera gjithandej Kosovës. Herët a vonë. Ne kurrë nuk do të harrojmë”, shkruan Veseli në Facebook.