Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka vazhduar turin e tij të dëgjimit, të nisur dy javë më parë, sot në Podujevë, ku ka bashkëbiseduar me punëtorët e kompanive përpunuese ushqimore, nga të cilët ka kuptuar drejtpërdrejt për zhvillimin e këtyre bizneseve dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ata.
Veseli ka deklaruar se Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik. “Kam dalë për ta dërguar një mesazh. Kosova ka nevojë për më shumë të punësuar, për ekonomi, e posaçërisht për prodhues. Unë kam ardhur të ju dëgjoj juve, që ne t’ju ndihmojmë si institucione”, ka thënë Veseli.
Ai, po ashtu, ka kërkuar që të dijë për problemet e kapaciteteve prodhuese nga biznesmenët.
Bashkim Osmani, pronar i Kompanisë “Elaborion”, ka thënë se ata kanë nevojë për takime të tilla.
“Në rend të parë, jemi krijues. Po gjenerojmë vende të reja të punës, po ndikojmë në zhvillim ekonomik të Kosovës. Është privilegj me qenë prodhues. Kemi pasur mungesë të energjisë, mungesa e lëndës së parë, por me një punë të palodhshme kemi arritur t’i tejkalojmë këto dhe kemi arritur të jemi prezentë edhe në tregjet evropiane. Synimet tona janë që të jemi në hap me kohën dhe të jemi të barabartë me prodhuesit e regjionit, sepse kështu e kemi më lehtë të veprojmë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kostoja e produktit final është më e lartë se në vendet tjera. Osmani, më tutje, ka përmendur edhe çështjen e kredive, duke thënë se kamatat janë të larta, pa e anashkaluar as çmimin e energjisë elektrike.
Muhamet Ymeri, pronar i Kompanisë “Gelenteria”, ndërkaq, ka thënë se kapacitetet prodhuese janë ato që kanë qenë. “Kur i shikojmë problemet e prodhuesve, unë besoj që mundësitë me i kalu këto probleme janë. Është diçka që nuk po funksion, është diçka qe ne mund t’ia hedhim barrën Qeverisë dhe këtu po them që diçka nuk po funksionin. Problemet kryesore janë ato që çështja investive ka munguar. Unë po frikësohem se po shkojmë në proces regresiv”, ka thënë ai.
Veseli, pasi i ka dëgjuar këta prodhues, është shprehur se janë ata të cilët e përcaktojnë ekonominë e një shteti.
“Politika duhet të zhvillohet, për t’u zhvilluar ekonomia dhe për t’u punësuar njerëzit. Shteti është sovran, por sovraniteti duhet të bartet te njerëzit”, ka thënë ai.
Veseli, po ashtu, ka deklaruar se sa më shumë qe po takon kategori të shoqërisë, po i shquan më lehtë pengesat.
“Transformimi i Kosovës në një shtet nuk mund të ndodhë pa pasur zhvillim ekonomik. Të jeni të bindur se konkurrenca ju bënë konkurrues në treg”, është shprehur ai.