Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vazhduar turin e tij “për dëgjimin e qytetarëve”. Të premten, ai ka qëndruar në qytetin e Prizrenit, për të bashkëbiseduar me studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Veseli i ka ftuar profesorët dhe studentët që të shpalosin idetë dhe propozimet e tyre për të ardhmen e tyre dhe të Universitetit.
Nehat Gashi, nënkryetar i Unionit të Studentëve të universiteteve publike të Kosovës, tha se duhet të hapen mundësi për punësimin e studentëve të profileve të ndryshme.
Ndërsa, Shkëlqim Millaku, profesor në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prizrenit, kërkoi që për studentët e Prizrenit të ndërtohet edhe kampusi ku do të kishte mundësi për banim dhe ushqim për studentët.
Pasi dëgjoi studentët dhe profesorët, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, tha se dëgjimi i tij në turin që po zhvillon nëpër vende të ndryshme të Kosovës do t’i shërbejë për të hartuar platformën e së ardhmes për Kosovën.
“Sot kam ardhur për vizitë në Universitetin e Prizrenit ‘Ukshin Hoti’, në mënyrë që të bashkëbisedoj. Në fakt, të dëgjoj më tepër këta akademikë dhe studentët, për ballafaqimet e tyre me sfida, me vështirësi, por në të njëjtën kohë edhe për të dëgjuar mendimet e tyre se si të ecim përpara. Vetëm me një bashkëbisedim korrekt mes nesh, ne mund të ecim përpara. Niveli akademik i studimeve ka rëndësi të jashtëzakonshme për ecjen e Kosovës përpara në rrugën e vet drejt integrimeve euro atlantike”, tha Veseli.
Pas bashkëbisedimit me studentët dhe profesorët, Veseli ka dalë për një shëtitje në qendër të qytetit, ku për disa çaste ka bashkëbiseduar edhe me qytetarë të këtij qyteti.