Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas takimit me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që janë të akredituar në Kosovë si dhe shefen e BE-së, Natalyia Apostolova, u shpreh i bindur se marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi do të ratifikohet sot.
Veseli ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit, të lëvizin shpejt me vendime për tu mundësuar qytetarëve të Kosovës lëvizjen pa viza, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se takimi i sotëm është konfirmim se BE ka agjendë të qartë për Kosovën, dhe se institucionet nuk do të ndalen për teke personale apo politike të dikujt, por do të ecin përpara.
“Tri vjet së bashku kemi përjetuar ato që nuk do duhej t’i përjetonim, ka ardhur momenti të përfundojmë këtë dramë, kjo do të përfundojë ditën e sotshme, ora 11 do ta përfundojmë dhe kjo do të thotë forcim partneriteti, liberalizim I vizave, hapja e perspektivës e shtetit tonë drejt integrimit në BE.
“Vetë fakti që sot është takim me ambasadorët e shteteve që është i zakonshëm takimi këtij mëngjesi përçon mesazh, është për Kosovën qytetarët e Kosovës se BE-ja është me ne, pret shumë nga ne, dhe i siguruam partnerëve të BE-së që do të punojmë fuqishëm në agjendën e integrimit euroatlantik”, ka thënë Veseli.
Dje Kuvendi u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme, në tentativën e katërt për të ratifikuar Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Seanca, e cila nisi të martën në orën 16 ka përfunduar pas rreth nëntë orë debati parlamentar, ku pothuajse të gjithë deputetët e Kuvendit shprehen mendimet e tyre rreth kësaj teme.
Seanca është shtyrë të vazhdohet sot, kur pritet të iniciohet edhe procedura e votimit, ndonëse sipas koalicionit qeverisës, votimi do të ndodhë vetëm nëse paraprakisht sigurohen votat për ratifikim.