Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka replikuar me deputetin e Listës Serbe, Sasha Millosavleviq, lidhur me arrestimin e Marko Gjuriqit.
Millosavleviq, duke folur në seancën e Kuvendit për arrestimin e Marko Gjuriqit në Mitrovicë, ka thënë se ata nga sot janë në opozitë dhe kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të policisë lidhur me këtë arrestim, raporton Ekonomia Online.
“Nuk ka pasur arsye dhe kanë qenë të rrahur ministrat tanë, deputetët, nuk kanë pas shkas , kemi qenë ulur dhe kemi biseduar për paqe. Është fatkeqësi që askush nga ju nuk ka pasur kohë të na thërras, të na pyesin se si jemi, është turp për këtë. Kërkojmë që në përgjegjësi të thirren dhe të japin dorëheqje ministri i MPB-së dhe drejtori i policisë. Ndërsa kryerësit që kanë bërë dhunë duhet të dënohen. Lista Serbe nga sot është ne opozitë dhe të shohim se kush është në opozitë prej deputetëve”.
Më pas kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i replikoi deputetit serb duke thënë se nuk është turp që Kosova ka arrestur një njeri që nuk ka pasur leje të hyjë në territorin e saj.
Veseliu iu drejtua depuetit serb duke i thënë të ketë kujdes me fjalët pasi sipas tij kështu është shteti sovran, nuk lejon hyrje pa leje.
“Kujdes me fjalë, turp është me hy në Kosovë pa leje, edhe mos me marrë pergjegjësi për këtë, ajo është turpi më i mash, askush nuk do lejohet të hyjë pa leje. Kështu është shteti sovran dhe kështu do të sillemi deri në fund. Me na fy nuk kemi nevojë”.