Dragashi do të jetë kryeqytet i turizmit malor dhe i industrisë së përpunimit të qumështit.
Ky ishte premtimi i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, sot në Dragash, me ç’rast u shpalos programi 4-vjeçar i kandidatit për kryetar të kësaj komune, Shaban Shabani.
Drejtuesit e PDK-së theksuan se Dragashi është komunë shembull sa i përket prodhimeve të qumështit dhe prodhimeve të tjera në nivel Kosove, dhe rritja e këtyre kapaciteteve në nivel shtetëror është prioritet i PDK-së.
“Ka mundësi që në Dragash të shumëfishohen fermat, është një vend i punëtorëve, një vend që ka pasur gjithmonë traditë dhe i thërras në mënyrë masovike të gjithë punëtorët e Dragashit që të orientohen nga zhvillimi i fermave të tyre”, tha Veseli.
“Për katër vitet e ardhshme do të përfundojmë zgjerimin e rrugës në mënyrë që ta lidhim edhe Dragashin me autostradë, duke e bërë me tri korsi, nga Zhuri e deri në Dragash”, ishte premtimi i tij i radhës i kreut të PDK-së.
“Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë që Dragashi të lidhet edhe me Maqedoninë. Është një projekt të cilin do ta realizojmë sepse është në interes strategjik të Kosovës e në mënyrë të veçantë të komunës së Dragashit”.
“Do t’i subvencionojmë ato dhe një ndër njerëzit kryesorë që do t’i orientojë subvencionet dhe grantet do të jetë kryetari i Komunës, Shaban Shabani”, tha Veseli.
E kandidati për ta drejtuar Komunën e Dragashit, Shaban Shabani, tha se do të fokusohet në energjinë alternative. “Do të vazhdojmë t’i mbështesim investitorët, ndërtimin e hidrocentraleve dhe ekonominë. Do të gjenerojmë vende pune dhe të ardhura për popullatën lokale”.
“Sa i përket sektorit të turizmit, si prioritet i veçantë për komunën do të jetë funksionalizimi i Zyrës për Informim të Turistëve, ndërtimi i infrastrukturës turistike lokale, promovimi i ngjarjeve të rëndësishme turistike, funksionalizimi i qendrave për promovimin e produkteve vendore për turistët dhe organizimi i panaireve, përshtatja e terreneve për turizëm rreth liqeneve dhe lumenjve, shtigjet për ecje malore si dhe subvencionimi i ofertave turistike”.