Synimi i koalicionit PDK-AAK-Nisma, (PAN) për të votuar për kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e ardhshëm në të njëjtën ditë, me 3 gusht, gjatë seancës konstituive po vlerësohet i pamundur nga politologu, Ramush Tahiri.
Ai ka deklaruar për AktivPress se as që bëhet fjalë që më 3 gusht të diskutohet për krijimin e Qeverisë, respektivisht votimin e kryeministrit të ardhshëm.
Sipas Tahirit, PAN-i nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë për shkak të rregullave procedurale.
“Më 3 gusht për kryeministër as që bëhet fjalë të diskutohet, sepse mbledhja konstituive mbahet vetëm për konstituim të Kuvendit. Pra është mbledhje themeluese e Kuvendit, ku zgjedhet kryetari dhe pesë nënkryetarë dhe eventualisht atë ditë ose ditën tjetër zgjedhën edhe komisionet parlamentare. Kjo bëhet në bazë të Rregullores së punës së Kuvendit dhe dihet cili vend kujt i takon dhe kush ka të drejtë ta propozojë”, tha Tahiri.
Sipas njohësit të çështjeve politike në vend, kandidati i PAN-it për kryeministër ende nuk është zyrtar, pasi nuk ka marrë konfirmimin nga presidenti për të vijuar me procedurat e tjera.
“Nuk ka shancë që këtë javë të bëhet qeveria, as me 3 as me 4, as me 5 dhe as më 10 gusht. Proceduralisht nuk mund të kryhet kjo punë. Ne ende nuk e kemi kandidatin zyrtar. Ende PAN-i nuk e ka dërguar letrën te presidenti se kush është kandidat i tyre për mandatar sepse më pas nuk mund t’i thuhet kandidat për kryeministër”, thotë ndër të tjerash Tahiri.
Por ndryshe mendon analisti Imer Mushkolaj. Sipas tij, nëse ky koalicion i ka votat mund të votohen të dy kandidatët në seancën e 3 gushtit.
“Nëse PAN i siguron votat, atëherë është logjike që edhe kryeparlamentari, edhe qeveria të votohen në të njëjtën seancë, më 3 gusht”, deklaroi Mushkolaj.
Ndërkaq, të dy njohësit e politikës e shohin të mundshëm veprimin që të ndërrohet kandidatura e Kadri Veselit për kryetar Kuvendi, nga ana e PDK-së.
Tahiri thekson se për zgjedhjen e Kadri Veselit kryetar Kuvendi duhen 61 vota. Se a i ka këto vota, sipas tij, kjo do të shihet më 3 gusht.
“Nëse nuk i ka këto vota përsëriten zgjedhjet disa herë ose me kandidat tjetër ose me kandidat të njëjtë”, sqaron më tej ai.
Për Mushkolajn, nëse më 3 gusht dështon zgjedhja e Veselit në krye të Kuvendit, nuk do të thotë se ka përfunduar gjithçka.
“PAN do të provojë me Kadri Veselin dhe nëse dështon, nuk përjashtohet mundësia që të vendosin për një kandidat tjetër. Më 3 gusht mund të dështojë zgjedhja e kryeparlamentarit, por kjo nuk don të thotë se përfundon gjithçka. PAN mund të tentojë prapë që t’i sigurojë votat për kryeparlamentarin, që logjikisht do të jetë dikush tjetër, e jo Veseli”, thotë analisti.
Sa i përket krijimit të Qeverisë, politologu, Ramush Tahiri sqaron një varg procedurash deri në thirrjen e votimit për krijimin e qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve të 11 qershorit.
“PAN-i ka takim me presidentin ose duhet të ketë dhe ta njoftojë me shkrim se kandidat i PAN-it është Ramush Haradinaj, nëse përcaktohen për të ose dikë tjetër. Mandej presidenti në afat deri në 15 ditë e cakton mandatarin në bazë të kërkesës së PAN-it dhe mandatari e njofton më pas Kuvendin kur i ka numrat ose kur e ka bërë qeverinë për të dalë në Kuvend dhe për të votur. Kjo punë zgjat një muaj maksimalisht dhe minimalisht mundet që para 15 ditëve të përfundojë”, tha ai.
Sipas Tahirit, Qeveria zgjedhet në bllok, të gjithë ministrat dhe kryeministri.
“Nëse zgjedhet qeveria, zgjedhen të gjithë nëse jo, bien të gjithë. Pas rënies presidenti i jep të drejtën mandatarit të dytë”, përfundon ai.