Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot në Ditën Botërore të të Moshuarve ka thënë se kjo ditë shërben për të kujtuar një ndër vlerat më fisnike të popullit tonë, traditën e respektimit dhe përkujdesjes për moshën e tretë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook është shprehur se duhet të ketë solidaritet mes gjeneratave për kujdesin ndaj të moshuarve.
Po ashtu ai ka theksuar se shteti duhet të ketë një rol më aktiv në kujdesin ndaj të moshuarve.
Postimi i plotë i Veselit:
“Sot është Dita Botërore e të Moshuarve që shërben për të na kujtuar një ndër vlerat më fisnike të popullit tonë, traditën e respektimit dhe përkujdesjes për moshën e tretë. Është përgjegjësi e jonë morale, që të tregojmë mirënjohje ndaj brezave të vjetër për kontributin e dhënë.
E kemi gjithashtu detyrë të kujdesemi që të moshuarit të kalojnë një pleqëri rehatshme e të lumtur në mënyrë që fazën e tretë të jetës ta kenë të sigurt e ta kalojnë në një ambient sa më të ngrohtë.
Prandaj, unë mendoj se jo vetëm duhet të inkurajojmë solidaritetin mes gjeneratave brenda familjes, por edhe duhet t’i japim një rol më aktiv shtetit për t’u kujdesur më shumë për të moshuarit që nuk gëzojnë mbështetje familjare. K.V.”