Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 20-vjetorin e rënies së heroit të kombit Bahri Fazliu, bëri nderime dhe vendosi lule te lapidari i dy heronjve, Fahri e Bahri Fazliu, në Llaushë të Podujevës.
Veseli, në fjalën e tij tha se historikisht familja kosovare ka qenë qendër e rezistencës për liri dhe një nga dëshmitë më të fuqishme të këtij fakti është familja Fazliu nga Llausha e Podujeves, në të cilën u rritën dy djem, dy trima, dy heronj të lirisë, Fahri dhe Bahri Fazliu.
Veseli tha se të dy vepruan në një kohë kur të paktë ishin ata që besonin tek lufta për liri. Ata, shtoi Veseli, besonin tek fuqia e popullit tonë për ta arritur çlirimin dhe nuk u gabuan.
“Fahriu ra dëshmor në fillimet e Lëvizjes sonë kombëtare për çlirimin e Kosovës, bashkë me ideologun e lëvizjes studentore, Afrim Zhitinë. Ata u bënë shembull i guximit dhe sakrificës për atdhe për të gjithë ne. Bahriu nuk u dekurajua nga humbja e vëllait të tij. Vazhdoi edhe më fuqishëm aktivitetin ilegal. Ishte njeriu i penës dhe i pushkës”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shoti se 20 vite më parë, Bahriu ra dëshmor njësoj si Fahriu, por rruga për të cilën ai jetoi e veproi tanimë ishte hapur.
“Rruga e lirisë ishte bërë e pakthyeshme, falë veprimtarisë atdhetare të djemve të tillë si Fahri e Bahri Fazliu. Ne do t’i nderojmë gjithmonë, sepse përgjithmonë do të jetojë vepra e tyre e madhe: liria dhe pavarësia e Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.