Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sot, në një ceremoni të organizuar nga Zyra e BE në Kosovë, me rastin e Ditës së Evropës, ka thënë se qytetarët e Kosovës besojnë në vlerat që mishëron Evropa.
Duke folur për Ditën e Evropës si festë zyrtare në kalendarin e festave të Kosovës, kryeparlamentari Veseli tha se festat nuk janë thjeshtë ditë pushimi, por në pushimin e tyre fizik ato janë aktivitete shpirtërore të një kombi.
“Festat janë momente që përçojnë mesazhin për vlerat në të cilat beson një shoqëri. Dhe mesazhi që ne kemi dashur të përçojmë përmes kremtimit zyrtar të Ditës së Evropës është pikërisht ky: Qytetarët e Kosovës besojnë në vlerat e që mishëron Evropa. Parasëgjithash, ky besim nuk është i lidhur as me interesa gjeopolitike, e as me bindjet e elitave politike, por është shprehje e drejtpërdrejtë e identitetit evropian të popullit të Kosovës”, tha kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se populli i Kosovës nuk ka dilema për formën që do të ketë e ardhmja e tij.
Kjo e ardhme, sipas Veselit, quhet integrim i plotë i Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe pjesë e NATO-s.
“Nuk kemi rrugë tjetër. Nuk punojmë në alternativa tjera për të ardhmen, sepse nuk mund të dalim nga vetvetja. Natyrisht, rruga që kemi vendosur të ndjekim nuk është e lehtë. Jemi të vetëdijshëm se Integrimi Evropian i Kosovës nuk është dhuratë që do të na bëhet nga Brukseli, në një ditë të bukur si kjo e sotmja. Integrimi evropian do të jetë rezultati final i punës sonë në përmbushjen e vizionit evro-atlantik”, theksoi Veseli.
Ai tha se institucionet e Kosovës e kanë të qartë këtë postulat, prandaj edhe janë duke punuar me përkushtim në detyrat që dalin nga procesi i përafrimit me Bashkimin Evropian.
“Arritja kohë më parë e Marrëveshjes së Stabilizim- Asocimit dhe tani përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen, janë tregues të qartë të këtij përkushtimi.
Ne, me plotë të drejtë presim që mekanizmat vlerësues të Bashkimit Evropian, të njohin rezultatet e këtij përkushtimi dhe në muajt e afërt të kemi vendimin për liberalizimin e vizave”, theskoi kryeparlamentari Veseli.