Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në takimin prezantues nga VGH – Vitals Global Healthcare dhe partneri i tyre PHI – Partners Health International, lidhur me transformimin e shëndetësisë kosovare.
Duke e konsideruar transformimin e sektorit të shëndetësisë në Kosovë të një rëndësie kapitale për vendin tonë, kryeparlamentari Veseli tha se çdo ide dhe iniciativë që i ndihmon këtij procesi është e mirëpritur dhe do të ketë mbështetjen institucionale.
Veseli vlerësoi se 17 vjet pas luftës, Kosova ka një sistem shëndetësor, me të cilin nuk mund të jetë i kënaqur askush.
Ai tha se neglizhenca institucionale, fondet e pamjaftueshme, mungesat buxhetore, të arsyeshme e të paarsyeshme, mosdefinimi si interes nacional, në shumë raste edhe interesat e paligjshme grupore, kanë ndikuar negativisht në zhvillimin dhe modernizimin e sistemit kosovar të shëndetësisë.
“Kosova ka mjekë të shkëlqyeshëm, në të gjitha nivelet. Ata janë të përkushtuar maksimalisht në misionin e shenjtë të mjekësisë, por ne po i humbim këta mjekë për shkak të një sistemi jofunksional të shëndetësisë. Shumë kuadro, që krijohen me aq mund e sakrifica familjare e institucionale, po detyrohen të gjejnë rrugët e largimit nga Kosova, duke ndikuar pa fajin e tyre, në varfërimin profesional të mjekësisë sonë”.
“Në vend se të jetë pjesë e mirëqenies së qytetarëve, sistemi aktual shëndetësor, është duke varfëruar edhe popullatën, sepse si pasojë e tij, miliona euro të qytetarëve tanë përfundojnë në spitalet e vendeve të huaja, në rend të parë ato të rajonit”, theksoi Veseli.
Ai tha se asnjë arsyetim për vazhdimin e gjendjes ekzistuese nuk mund të pranohet më.
“Institucionet nuk janë për të dhënë arsyetime, por për të ofruar zgjidhje. Me strategji konkrete dhe investime serioze mund të arrihet ndryshimi pozitiv. Ligji për Sigurime Shëndetësore do të hyjë në fuqi që nga janari i vitit 2017. Me ketë ligj është siguruar baza ligjore për ruajtjen dhe garantimin e shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Më këtë ligj respektohet dinjiteti, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të përcaktuara me Kushtetutë”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke siguruar se do të përkrah çdo politikë zhvillimore që u garanton qytetarëve tanë një shëndetësi cilësore dhe efikase.