Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar heronjtë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 31 vjetorin e rënies së tyre.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ata dëshmuan se edhe pas suprimimit të autonomisë, shqiptarët nuk do të dorëzoheshin para terrorit shtetëror.
Postimi i plotë:
Sot bëhen 31 vjet nga lufta heroike e dy shokëve të idealit dhe dy inspiruesve të luftës sonë për liri, heronjve Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. E mbaj mend të freskët sikur të kishte ndodhur dje, datën 2 nëntor 1989, kur Fahriu dhe Afrimi luftuan për orë të tëra me policinë jugosllave e ranë heroikisht në lagjen “Bregu i Diellit” të Prishtinës.
Me punën e tyre Fahriu dhe Afrimi, kanë përgatitur breza veprimtarësh të rinj të kauzës kombëtare ku kam pasur nderin të bëj pjesë edhe unë. Me sakrificën e tyre ata dëshmuan se edhe pas suprimimit të autonomisë, shqiptarët nuk do të dorëzoheshin para terrorit shtetëror. Përkundrazi, Serbia nuk do të ishte e qetë as në qendër të Prishtinës dhe do të merrte si kundërpërgjigje pushkët e lirisë të rinisë shqiptare.
Krismat e pushkëve të Fahriut dhe Afrimit ishin paralajmërim i pushkës së vajzave dhe djemve të UÇK-së që do ta sillnin lirinë një dekadë më vonë. Edhe për neve, aktivistëve të rinj ilegalë të asaj kohe, ky akt shërbeu si obligim për të mos u ndalur në rrugën tonë për liri. Jam krenar që kam qenë shok dhe bashkëveprimtar i Fahriut dhe Afrimit!
I përjetshëm qoftë kujtimi për Fahriun, Afrimin dhe të gjithë dëshmorët e kombit! Lavdi jetës dhe veprës së tyre!