Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se nga sot Kuvendi i Kosovës është bërë anëtar i Asamblesë parlamentare të Frankofonisë, në mbledhjen që është mbajtur në Kanada.
“Kam kënaqësinë e madhe që t’ju njoftoj se Kuvendi i Kosovës sapo është votuar që të anëtarësohet në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë. Unë jam i gëzuar që pas shumë përpjekjesh kjo nismë për t’u bërë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar të parlamentarizmit u kurorëzua me sukses. Kjo është organizata më e madhe ndërkombëtare parlamentare ku ne bëjmë pjesë dhe ofron një mundësi të jashtëzakonshme për diplomaci parlamentare. Nëpërmjet këtij anëtarësimi forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë e do kemi mundësi ta promovojmë Kosovën e ndërtojmë marrëdhënie me parlamentarë të vendeve që ende nuk na njohin”, ka thënë Veseli gjatë dhënies së këtij lajmit në seancën plenare.
Anëtarësimi i Kuvendit të Kosovës në Frankofoni është nismë e kryeparlamentarit Kadri Veseli i cili muaj më parë ka takuar edhe krerët e kësaj Asambleje, ndërsa ka zhvilluar edhe takime të ndryshme gjatë vizitave zyrtare në vende të ndryshme.
Para 1 muaji, pikërisht për këtë çështje, Kryeparlamentari Veseli ka pritur në Prishtinë, sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, Jacques Krabal.