Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur për herë të parë mbi përgjimet e publikuara ditë më parë.
Kryeparlamentari kosovar tha se ato duhet të adresohen nga institucionet përgjegjëse.
“Çdo interpretim i imi mund të duket si gjykim subjektiv apo paragjykim. Jemi shtet i ri dhe ajo çfarë dua të theksoj është se asnjë qytetari të këtij vendi nuk duhet t’i bëhet një gjykim publik. Është obligim para qytetarëve tanë që të kemi adresim institucional dhe duhet të kemi përgjegjësi institucionale për rrjedhjen e atyre përgjimeve sepse kjo e rritë besimin e qytetarëve në institucione të drejtësisë. Pra duhet të kemi përgjigje institucionale dhe adresim institucional”, tha Veseli.
Duke folur për përmbajtjen e përgjimeve që deri tani kanë rezultuar dhe dëshmuar për punësimet partiake nëpër borde, tha se ai personalisht ka disa javë që ka adresuar këtë çështje dhe të bëjë veprime konkrete për depolitizim të bordeve dhe agjencive të pavarura.
“Kam bërë hapa konkretë në këtë aspekt. Që nga ardhja ime në krye të Kuvendit, pasi i kam vërejtur këto dukuri që i përfshijnë të gjitha partitë politike, kam kërkuar një transparencë dhe gjithpërfshirje. Ne tanimë, falë ndihmës së Ambasadës Britanike, do të nënshkruajmë një memorandum që do të krijojë hapësirë që një kompani angleze të merret me seleksionimin e anëtarëve të bordeve publike. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për gjeneratat e reja dhe qytetarët që janë të përgatitur që të marrin vendet e merituara të punës”, tha Veseli.
Ai tha se projekti mes Kuvendit të Kosovës dhe Ambasadës Britanike për zgjedhjen e ekspertëve në bordet publike nga ana e një komisoni anglez të ekspertëve do të ndikojë shumë në kthimin e transparencës dhe sipas tij do të kthejnë perspektivën e vendit.