Veseli: Kosova dhe Kroacia do ta thellojnë partneritetin në të gjitha fushat

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 09:13 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, priti në takim Grupin e Miqësisë Kosovë – Kroaci të Parlamentit kroat, i cili po qëndron për vizitë në vendin tonë.

Në takim i bisedua për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë, për marrëdhëniet midis dy vendeve mike dhe parlamenteve respektive.

Kryeparlamentari Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Parlamenti kroat kultivojnë midis tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve dhe popujve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit në shumë segmente.

Kreu i Kuvendit e konsideroi të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të procesit të integrimit evropian të Kroacisë, të cilat, sipas tij, mund t’i shërbejnë Kosovës në forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare dhe lehtësimit të rrugëtimit euro-integrues.

Veseli theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Kosovës dhe Kroacisë në fushën e investimeve ekonomike.

Deputetët e Saborit, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën, theksuan se vizita e tyre në Kosovë është pikërisht në funksion të forcimit të miqësisë e të bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e shtetit kroat për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha drejtimet.​

Ky grup do të zhvillojë takim edhe me kryetarin e Grupit të Miqësisë Kosovë – Kroaci, Avdullah Hoti. Andrija Mikuliç dhe Hoti pas takimi do të mbajnë konferencë për media.

Takim do të zhvillohet edhe me Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit  dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit dhe anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe  Zhvillim Rajonal.

 

Të ngjashme