Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pret në takim ambasadorin e ri të ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Përmes një postimi në Facebook, Veseli ka thënë Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e shenjtë për popullin dhe institucionet e Kosovës.
“Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e shenjtë për popullin dhe institucionet e Kosovës. Me Ambasadorin Kosnett, i cili është një diplomat me eksperiencë të madhe dhe që ka kontribuar për vendin tonë edhe më herët, biseduam për sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova, por edhe reformat që kemi ndërmarrë si shtet. Kosova do të ecë përkrah me SHBA-të në çdo hap”, ka shkruar Veseli.
Ky është takimi i pari mes Veselit dhe Kosnett prej se është emëruar ambasador i ri i ShBA-së në Kosovë.
Po ashtu gjatë ditës së djeshme Presidenti Hashim Thaçi, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit Kosnett.
Kosnett dje është takuar me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Thaçi në këtë takim pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Kosnett tha se është një privilegj dhe nder kthimi në Kosovë pas 15 vitesh për të shërbyer si ambasador i SHBA-së.
Ai tha se Kosova është në një moment të historisë ku njerëzit duhet të marrin vendime të cilat do të mbahen në mend edhe në të ardhmen.