Veseli: Kosova do të ecë përpara me Amerikën, Vetëvendosja sërish po i mashtron prizrenasit

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 19:32 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Kadri Veseli, ka mbajtur një tubim me qytetarë në Palestrën e Sporteve në Prizren, ka thënë se ka shumë entuziazëm te prizrenasit për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

Veseli nga Prizreni ka premtuar se do ua rris pensionet për 80 për qind të gjithë pensionistëve në Kosovë.

Ai para simpatizantëve të shumtë të PDK-së ka thënë se ky është një entuziazëm i njerëzve që e duan vendin e vet, qytetin e vet dhe e duan fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Oponentët tanë po çuditen pse kjo përkrahje për ne. Sepse, ne nuk flasim, por veprojmë dhe vendosim. Sepse, ne nuk shajmë, nuk ndajmë, por pajtojmë, afrojmë dhe bashkojmë. Ne jemi të vetmit që marrim vendime kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Jemi të vetmit që kemi projekte për Kosovën. Kjo është rruga e fitores, rruga e besimit për qytetarët tanë”, u shpreh Veseli.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se kushdo që është për ekonominë e dijes, për ndërmarrësinë dhe ekonominë prodhuese… kushdo që është për marrëdhënie të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duhet të bëhet bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës.

“Unë do të punoj fuqishëm, do të jem përkrah çdo qytetari të vendit tim. Do të jem përkrah rinisë dhe e kam një mesazh për të rinjtë: kjo është toka jonë e shenjtë, ne duhet bashkërisht të jetojmë këtu, të krijojmë familje këtu, ky është vendi ynë. Do t’iu përkrah të gjithëve, secilin prej jush, të rinjtë, fermerët, bletarët, inovatorët, ndërmarrësit. Nuk do të ketë në qeverisjen time asnjë tatim të ri, por do të ketë përkrahje për të gjithë juve”, ka thënë ai.

Lideri i PDK-së ka theksuar se nuk do të ketë më prona private ku jetojnë qytetarët tanë pa fleta poseduese. Ai ka thënë se menjëherë, brenda dy vjetëve do ta bëj legalizimin e të gjitha pronave pa fleta poseduese.

Për familjet e dëshmorëve dhe luftëtarët e lirisë, ai ka premtuar projekte të veçanta,

“Është e shenjtë liria jone. Është e shenjtë sakrifica jonë. Kushdo që e do Kosovën, duhet ta dojë edhe Amerikën. Ua jap besën se Prizrenin, kryeqytetin historik të shqiptareve, do ta bëj vendin më të bukur të shqiptareve kudo që jetojnë”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se Vetëvendosje po i mashtron të gjithë, ashtu siç i ka mashtruar prizrenasit.

Nga kjo mbrëmje madhështore, Veseli i ka ftuar të gjithë që të bëhen bashkë, që të mos ndahen, sepse, sipas tij, të gjithë duhet të kenë vetëm një mision, vetëm një qellim: ta bëjmë Kosovën një vend më të zhvilluar ekonomikisht dhe të integruar në familjen euroatlantike.

Kandidati i PDK-së për Kryeministër u ka kërkuar të gjithëve që ta votojnë numrin 112 dhe Partinë Demokratike të Kosovës.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/513799099421303/

Të ngjashme