VKryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se heshtjes ndërkombëtare dhe mohimit serb duhet t’i përgjigjemi si shtet, duke marrë të gjitha masat në dokumentimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe duke krijuar kështu bazën faktike për t’ia hapur rrugës Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Serbisë në Kosovë.
Në Akademinë përkujtimore për masakrat në Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, të kryera nga forcat serbe këtu e 20 vjet më parë, kryeparlamentari Veseli tha se janë 13500 qenie të pafajshme njerëzore, të vrarë e të masakruar nga forcat serbe, të cilët kërkojnë drejtësi. Veseli tha se të gjithë këta njerëz të pafajshëm janë vrarë me urdhër politik nga shteti serb dhe janë ekzekutuar nga organet shtetërore të Serbisë në Kosovë, ushtria dhe policia.
“Këto 13500 viktima kërkojnë drejtësi. Këtë po e kërkojmë sot. Kosova ka të drejtë të kërkojë drejtësi për njerëzit e saj. Dhe drejtësia duhet të vijë në vend. Kriminelët të cilët i kanë kryer këto krime, duhet të marrin dënimin e merituar”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se shteti serb, edhe dy dekada pas luftës, nuk po pushon së provokuari dhe cenuari shtetin tonë. Sipas tij, ky duhet të jetë mesazh edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila vetëm dy dekada më herët, pikërisht për të larguar një rrezik të tillë gjenocidi, kishte intervenuar ushtarakisht.
“Vetëm disa ditë më parë, njëri nga urdhërdhënësit, përkatësisht ekzekutuesit e këtyre masakrave, bëri kërcënimin e radhës, duke bërë parada ushtarake me armë dhe duke cenuar kombin tonë. Por këtë nuk do ta lejojmë. Kërcënimit dhe cenimit do t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Por do të jetë shumë më e fuqishme se para dy dekadash, kur i jemi përgjigjur në mënyrë vullnetare me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Tani kemi njësi të organizuara dhe të përgatitura ushtarake dhe policore të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai tha se Kosova është për paqe dhe fqinjësi të mirë, nuk do t’i nënshtrohet asnjë provokimi, por njëkohësisht as nuk do të pranojë të heshtë për të drejtën e saj.
“Kemi ndërmarrë një iniciativë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës jemi bashkë. Do të jemi edhe më të bashkuar të enjten, për të filluar rrugëtimin për të kërkuar drejtësi për të gjithë njerëzit tanë të vrarë e të masakruar”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Ai tha se shteti serb duhet të dënohet për gjenocidin në Kosovë dhe të gjithë kriminelët të cilët kanë kryer krime kundër shqiptarëve do të kapen dhe do të vihen para drejtësisë.