Deputetë të LDK-së thonë se kreu i PDK-së, Kadri Veseli, po planifikon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke e synuar postin e kryeministrit para se të funksionalizohet Gjykata Speciale. Pasi që, sipas tyre, kjo mendohet se do ta dëmtojë më së shumti partinë më të madhe në vend
Deklarata e krye-parlamentarit Kadri Veseli për ta kthyer normalitetin nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme vlerësohet të jetë bërë për disa arsye.
Sipas deputetëve të LDK-së, Veseli po synon të vijë në krye të ekzekutivit para funksionalizimit të Gjykatës Speciale, pasi që, kjo Gjykatë vlerësohet se do ta dëmtojë më së shumti PDK-në, shkruan “Zëri”.
Ndërkaq, partitë opozitare vlerësojnë se i pari i PDK-së tashmë e ka kuptuar se koalicioni ka dështuar në shumë procese të rëndësishme. Mirëpo, ata nuk përjashtojnë mundësinë që kryetari i Parlamentit të jetë deklaruar pro zgjedhjeve për shkak të Speciales, pasi që kjo mendohet se do ta dëmtojë më së shumti partinë që e drejton Veseli.
Edhe analistët politikë konsiderojnë se nga Gjykata Speciale më së shumti do të dëmtohet PDK-ja dhe se kjo mund të jetë njëra prej arsyeve nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme. Megjithëkëtë, sipas tyre, zgjedhje nuk do të ketë gjatë këtij viti, por tek në vitin e ardhshëm.