Kreu i Kuvendit Kadri Veseli, ka vazhduar vizitat e tij në kompanitë e ndryshme vendore. Ai sot ka zgjedhur për të vizituar fabrikën “KIVO” në Kaçanik, ku u njohë për së afërmi me punën dhe kushtet në të cilat vepron kjo ndërmarrje.
Veseli tha se kjo është pikërisht çfarë i duhet sot Kosovës, ndërsa konfirmoi mbështetjen institucionale për projekte të kësaj natyre, të cilat hapin vende të reja pune dhe rrisin prodhimin vendor.
“Ligji për investime strategjike, i miratuar ditë më parë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do t’i hapë rrugë ardhjes së investitorëve të rinj të huaj në vendin tonë. Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që t’ua sigurojnë atyre të gjitha kushtet e nevojshme për investim”, theksoi kryetari Veseli.
Duke e falënderuar kryeparlamentarin Veseli për vizitën, drejtori i fabrikës, Visar Ramajli, shpalosi projektin e ri për zgjerimin e kapaciteteve të fabrikës, i cili pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti, ndërsa në funksionalizimi i plotë do të bëhet në shkurt të vitit të ardhshëm.
Ramajli bëri të ditur se në këtë fabrikë aktualisht janë të punësuar 83 punëtorë, ndërsa me zgjerimin e kapaciteteve, ky numër do të rritet edhe për 40 të tjerë.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, u shpreh i kënaqur që biznese si fabrika KIVO, kanë gjetur vend në territorin e komunës që ai drejton.
Fabrika KIVO prodhon ambalazhe fleksibile plastike, ndërsa është ndërtuar me kapital holandez-kosovar.
KIVO është ndërtuar me kapital vendor dhe ndërkombëtar nga kompania holandeze “KIVO Plastik Verpakkingen B.V” dhe VM3 Sh.P.k. nga Kosova.