Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritu në takim drejtorin Gjeneral të Komisionit Evropian për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim, Christian Danielsson, dhe Drejtorin Menaxhues për Evropë dhe Azi Qendrore në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), Thomas Mayr-Hartingsot, me të cilët ka diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe përfshirjen e Kosovës në Strategjinë për Zgjerim të BE-së.
Kryeparlamentari Veseli i njoftoi zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian me gjendjen e përgjithshme në Kosovë, hapat që ka bërë dhe që po bënë Kosova në rrugën e saj të integrimit, duke përmbushur kriteret e parapara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocijimit.
Kreu i Kuvendit potencoi vendosmërinë e Kosovës për të vazhduar rrugën e saj përpara në agjendën evropiane dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve që ajo ka para vetes.
“Agjenda evropiane mbetet prioritet yni, për të cilin kemi konsensus të plotë brenda spektrit politik. Kosova do të vazhdojë t’i përmbushë të gjitha obligimet ndërkombëtare dhe është duke bërë reformat e nevojshme në këtë drejtim”, tha Kryeparlamentari Veseli.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në BE, Christian Danielsson, tha se Kosova ka perspektivë të sigurt për tu bërë pjesë e familjes evropiane dhe Strategjia e Zgjerimit ka konfirmuar gatishmërinë e BE-së për t’i ofruar Kosovës bashkëpunim dhe mbështetje në rrugën e saj integruese..
Danielsson dhe Mayr-Hartingsot paraprakisht janë takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj. Të dy më pas do të takohen me shefat e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve.