Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur me nderimet më të larta shtetërore gjatë vizitës zyrtare në Hungari, me ftesë të homologut Laszlo Kover.
Në takim me me kryeparlamentarin hungarez, Veseli diskutoi për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës.
Kryeparlamentari kosovar theksoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që qytetarët kosovarë të vazhdojnë të mbeten të izoluar, vetëm për shkak të mosmiratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Sipas një njoftimi nga Zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Laszlo Kover, i ofroi mbështetje të plotë kryeparlamentarit Veseli dhe e siguroi se Hungaria mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa u zotua se do të kërkojë përkrahje për liberalizim të vizave për kosovarët edhe nga vendet tjera evropiane.
kover tha se Hungaria është e gatshme ta ndihmojë Republikën e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane dhe në aspektin e thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit më të madh bileteral mes vendeve.
Gjatë qëndrimit në Budapest, kryeparlamentari Veseli është pritur në takime të ndara edhe nga zëvendëskryeministri Zsolt Semjen dhe nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Hungarisë.
Në këto takime, kryeparlamentarit Veseli i është ofruar gatishmëria e shtetit hungarez që të ofrojë financime të projekteve në Kosovë në vlerë prej rreth 150 milionë euro.
Këto mjete të ofruara si kredi të buta me gati zero interes, pritet të investohen në fushën e bujqësisë, rehalbilitimit të liqenit të Batllavës, ndërtimin e stadiumit olimpik për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, si dhe projekte për menaxhimin infrastrukturor të komunikacionit rrugor në Kosovë.
Kryeparlamentari kosovar tha se do të finalizojnë shumë shpejt të gjitha projektet e ofruara dhe do të nisin investimet në fushat e cekura, që janë me interes për të rinjtë kosovarë, në fushën e sportit, por edhe për zhvillimin ekonomik përmes investimeve në bujqësi.
Veseli tha me këtë rast se shteti i Kosovës ka interes të thellimit të bashkëpunimit ekonomik me Hungarinë dhe ftoi investitorë hungarezë që të investojnë në Kosovë.