Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka përsëritur se muri në veri të Mitrovicës, nuk do të ekzistojë asnjëherë. Ai tha se muri në veri është në kuadër të një kompleksi rus, i cili dëshiron të shfaqet në Kosovë, por që nuk do të ketë sukses.
I pari i kuvendit, siguroi qytetarët e vendit se ky mur shumë shpejt do të rrënohet dhe për këtë tha që kanë garancione edhe nga Bashkimi Evropian, raporton Ekonomia Online.
“Ky mur nuk do të ekzistojë e as nuk do ta lejojmë për këtë qytetarët duhet të jenë të sigurt sidomos ata në Mitrovicës. Ndërtimi i mureve është një kompleks rus që po tenton të shfaqet negativisht në Kosovë. Ne për këtë sot kemi biseduar edhe më BE-në dhe këtë mur nuk do ta lejojmë”, ka thënë Veseli.
Këto komente Veseli i bëri pas takimit që kishte me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, me të cilin bisedoi për cilësinë e ajrit, i cili kohën e fundit është përkeqësuar dukshëm në Prishtinë.
Veseli: Seanca e jashtëzakonshme për Astrit Deharin, javën e ardhshme
Veseli paralajmëroi se do të thërras seancë për të diskutuar për rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.
Ai i ftoi të gjithë deputetët që ti bashkëngjiten këtij propozimi, për të diskutuar në një seancë të veçantë për rastin Dehari.
“Unë e kisha paralajmëruar seancën për datën 14 dhjetor por në mbledhjen e fundit të Kryesisë, kolegia e Kryesisë Aida Dërguti nga Vetëvendosje ka kërkuar që seanca të mos mbahet atë ditë. Tani këto ditë shumë deputetë janë jashtë, por javën tjetër pra më datën 19 aspo 20 shumica kthehen dhe seanca do të thirret menjëherë. Unë thërras të gjithë deputetët e gjitha subjekteve politike që ta mbështesin këtë iniciativë dhe ta mbajmë këtë seancë”, tha kryeparlamentari Veseli.
Paralajmërimi i Veselit për këtë seancë kishte ardhur për shkak të akuzave dhe linçimeve që Vetëvendosje u bënte zyrtarëve shtetëror për vdekjen e Deharit.