Kadri Veseli ia ka dërguar sot një mesazh Isa Mustafës, nga tubimi që ka mbajtur sot Partia Demokratike e Kosovës në Pejë.
Duke aluduar në partneritetin LDK-VV, për të cilin ka thënë se është koalicion i korrupsionit dhe izolimit të Kosovës, Veseli ia ka rikujtuar Isa Mustafës qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Albin Kurtin.
“E kam thënë, nuk është në të mirën e Kosovës të ketë një koalicion të korrupsionit dhe izolimit të Kosovës. Edhe sot, e them të njëjtën gjë, shefit të LDK-së, Isa Mustafës, i them miqësisht, si profesor e si intelektual… Ai e di, sikurse unë, kur kemi qenë në SHBA, se çfarë qëndrimi është i SHBA-ve për Albin Kurtin. Ai e di, pothuajse sikurse unë, se çfarë qëndrimi ka Albin Kurti për SHBA-në. Është shqetësim. Kosovës sonë nuk i duhet koalicioni i izolimit”, ka thënë Veseli.
Qytetarëve të Pejës, Kadri Veseli u ka bërë thirrje që të mobilizohen më 6 tetor dhe të votojnë për PDK-në, e cila, bashkë me SHBA-në, do ta luftojë korrupsion dhe do zhvillojë ekonominë e Kosovës.