Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, për nder të Festës së Fitër Bajramit, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me kreu i BIK-ut, Naim Tërnava, Veseli uroi të gjithë besimtarët islamë në Republikën e Kosovës, në mënyrë të veçantë familjet e dëshmorëve e të martirëve.
Veseli falënderoi myftiun Naim Tërnava, Bashkësinë Islame të Kosovës dhe nëpërmjet saj çdo imam në Republikën e Kosovës, për predikimet e tyre anekënd Kosovës, në promovim të solidaritetit dhe respektin ndaj çdo feje tjetër, race a identiteti, por njëkohësisht, siç tha Veseli, duke dalluar identitetin tonë kombëtar, pa e fyer asnjë identitet tjetër.
“Pas këtij muaji të shenjtë të Ramazanit, muajit të sakrificës dhe solidaritetit, uroj që ne si komb të kujtojmë të kaluarën, por më shumë të mendojmë për të ardhmen, të mendojmë në mënyrë kritike për njëri-tjetrin, por të mos e urrejmë njëri-tjetrin. Ta ndihmojmë dhe përmirësojmë njëri-tjetrin”, tha Veseli.