Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar strukturat e partisë në Komunë e Dragashit, që udhëhiqet nga PDK-ja. Në turin e tij, ai ka vizituar rrugën e posasfaltuar që lidh këtë pjesë të Dragashit, me njërën nga zonat me potencial turistik, nga Guri i Zi drejt Tetovës.
Veseli ka thënë se në vitet 90-ta, këto rrugë i ka kaluar me shumë shokë për çlirimin e vendit, ndërsa sot, ato po kthehen në rrugë zhvillimi e turizmi.
“Kryetarin Shaban Shabani e përgëzoj për korrektësinë, për një punë të ndershme, për një punë jashtëzakonisht të suksesshme si kryetar i komunës së Dragashit. Nga Autostrada e Kombit po lidhet shumë shpejt edhe Dragashi, që do të bëhet një urë lidhëse edhe me Maqedoninë e Veriut. Do të dalim në Tetov. Ky projeksion i rrugës ka dimension të shumanshëm të zhvillimit të Komunës së Dragashit. Nuk është vetëm për komunikim ndërmjet vendbanimeve, pasi kjo pjesë është zonë turistike. Projekti i kryetarit Shabani është që të vazhdohet me pistat e skijimit. Do të vazhdojmë me investime edhe në pjesë të tjera sa i përket promovimit si zona turistike, zhvillimin e blegtorisë dhe ekonomisë. Që njerëzit të mos largohen nga kjo pjesë e cila është jashtëzakonisht e bukur. Jam i lumtur që ky projekt ka pasur të përfundoj vitin e ardhshëm, por puna e kryetarit Shabani ka bërë që këto punime të përfundojnë një vit më herët. E përgëzoj edhe njëherë kryetarin, e falënderoj dhe ta gëzoni të gjithë qytetarët, e sidomos edhe fshatin Zaplluzhë. Ftoj qytetarët e Kosovës ta vizitojnë këtë pjesë që është si mrekulli e natyrës. I përshëndes edhe bashkëqytetrët në pjesën e Tetovës. Këtu kemi kaluar në vitet 90-ta për qëllime kombëtare. Vet e kam kaluar këtë pjesë në këmbë pikërisht në vitin 1993, së bashku me Nait Hasanin. Sot po bëhet pjesë turistike. Dikur rrugë kombëtare për çlirimin e vendit kurse sot rrugë turistike. Urime të gjithëve. Do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera”, ka thënë z. Veseli.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Shaban Shabani ka falënderuar kryetarin Veseli për vizitën dhe mbështetjen, duke thënë se fal qeverisjes së suksesshme të PDK-së, Dragashi nga një zonë e izoluar po kthehet në nyje lidhëse turizmi e qarkullimi edhe me dy shtetet e tjera, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Në fakt është kryer asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Zaplluxhe me një pjesë turistike. Kjo rrugë ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe jo vetëm për këtë lokalitet por përgjithësisht për Komunën e Dragashit. Ne po e përmbushim një zotim që ka dal nga plani zhvillimor komunal për krijimin e kushteve sa më të mira për pikat turistike siç janë Zaplluxha, Brodi, Liqeni i Breznës, e Restelica. Sot ishte një ditë e veçantë pas vizitës që Kryetari Veseli i ka bërë degës së PDK-së, por edhe këtyre punimeve pasi që ka qenë edhe një zotim i tij dhe i joni para qytetarëve. Kjo do të lidhet edhe me pjesën magjistrale të zgjerimit të rrugës nga Zhuri për në Dragash. Pra po përmbyllen vijat e trasha të infrastrukturës së komunës së Dragashit. Kjo do të lehtësoj shumë jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Kjo rrugë është parakusht për lidhje me Maqedoninë e Veriut. Ne kemi një pikë kufitare me Shqipërinë por po punojmë në asfaltimin e rrugës që lidh Restelicën me Komunën e Mavrovës. Pra komuna e Dragashit nuk është më një zonë e izoluar por një nyje zhvillimi e lidhje me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Falë mbështetjes së madhe të z. Veselit dhe punës tonë, ne do t’i tejkalojmë planifikimet tona” ka thënë kryetari Shabani.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar edhe në Prizren, ku ka takuar bizneset dhe ndërmarrësit e këtij qytetet. Me ta ka diskutuar për mundësinë e tejkalimit të krizës ekonomike si pasojë e pandemisë.