Veseli në Ferizaj: Lufta kundër korrupsionit do të sjellë vende pune për të rinjtë

Prishtinë | 15 Sht 2019 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK-së për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, është pritur në Ferizaj nga qindra zyrtarë të kësaj partie për të diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe planin e Veselit për zbatimin e “Planit kundër korrupsionit dhe nepotizmit”, thuhet në komunikatën e kësaj partie drejtuar mediave.

Kreu i PDK-së tha se vizioni i tij i cili po shpërndahet anekënd Kosovës, synon që në qeverisjen e re të udhëhequr prej tij të nisë çrrënjosja e korrupsionit në të gjitha institucionet e vendit, për t’i hapur perspektivë zhvillimit ekonomik dhe shanse të barabarta për të gjithë të rinjtë, në mënyrë që ata ta gjejnë perspektivën e tyre brenda Kosovës.

“Jam falënderues për të gjithë ata qindra, mijëra vajza e djem që po i takoj anekënd Kosovës, të cilët më tregojnë se janë duke e marrë mesazhin, janë duke e përçuar mesazhin edhe më tutje. Vizionin tonë të Kosovës euro-atlantike, vizionin tonë të Kosovës që duhet të ketë perspektivë, duhet me pas zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit. Nuk duhet me pas korrupsion, nuk duhet me pas nepotizëm, nuk duhet me pas ndarje mes vete, nuk duhet me pas përçarje, por duhet me pas bashkim, duhet me pas fitore si Kosovë. Ky është qëllimi jonë”, tha Veseli.

Ai po ashtu theksoi se Qeveria e re e udhëhequr prej tij, do të punojë shumë më shumë dhe do të krijojë mundësi për rininë nëpërmjet ndërmarrësisë dhe prodhimeve vendore, për të hapur vende të reja pune për vajzat dhe djemtë e rinj, të cilët siç tha Veseli, duhet ta krijojnë familjen e re të tyre në Kosovë, e jo të mendojnë të ikin nga Kosova.

“Duhet edhe shumë më shumë me punu në mënyrë që t’u krijojmë perspektivë vajzave dhe djemve tanë të rinj që mos ta lëshojnë Kosovën. Me pasë shpresë, me pasë besim, me pasë mundësi me pasë shanse me jetu në Kosovë, me kriju familjet e tyre në Kosovë, me qenë me prindërit e tyre. Për faktin se ky është shtet që e kemi arritur të gjithë bashkërisht”.

“Duhet shumë me punu me fonksionu ligji. Duhet shumë me punu me pasë ndërmarrësi edhe më të fuqishme e më të zhvilluar, për faktin se kur kemi ndërmarrësi të fuqishme kemi prodhim më shumë. E kur kemi prodhim më shumë, kemi edhe njerëz të punësuar më shumë e më pak njerëz që tentojnë me na ikë. Ky është orientimi ynë, kjo është politika jonë, politika e Partisë Demokratike të Kosovës”, shtoi  Veseli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme