Veseli: Në janar do të thërras tryezën e partive për temat e mëdha

Prishtinë | 31 Dhj 2016 | 10:00 | Nga Faton Osmani

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, paralajmëron se në fillim të vitit 2017 do të marrë një iniciativë, si kryetar i partisë më të madhe, për të mbledhur në një tryezë liderët e partive politike, me qëllim të arritjes së një pajtimi për “temat e mëdha” për vendin, siç janë demarkacioni, Asociacioni dhe dialogu.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, kryeparlamentari Veseli thotë se çështja e ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe vazhdimi apo jo i dialogut me Serbinë, kanë të bëjnë drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të Kosovës dhe për to nuk duhet të ketë dallim pozitë-opozitë.

Në shkëmbim, koalicioni qeveritar është i gatshëm që opozitës t’ia japë drejtimin e Agjencisë Anti-Korrupsion, Auditorin e Përgjithshëm dhe në institucione të ngjashme.

Gjithashtu, Kreu i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike fton opozitën “të marrë rol aktiv” dhe të përfshihet edhe në pjesën e dialogut me Serbinë.

“Opozita mund të marrë përgjegjësi që kanë të bëjnë me kontrollin demokratik të institucioneve… Kjo do t’i bënte mirë shoqërisë dhe shtetit”, thotë Kadri Veseli, në intervistën e fundvitit për agjencinë e lajmeve “Ekonomia Online”.

“Ne duhet të komunikojmë bashkërisht për çështjet e shtetit, kryerjen e obligimeve si shtet, për çka s’ka opozitë e pozitë. Ndërsa mund të flasim në rolin e opozitës në përmirësime në fushën e politikës, në ekonomi, legjislacion, çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës e ligjshmërisë brenda institucioneve, por dhe përmirësimin e jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve”.

“Opozita nuk duhet të ketë rol bllokues, por rol aktiv në marrjen e përgjegjësive si parti opozitare “, thekson Veseli.

Derisa, nga kryeministri Mustafa, opozita është fajësuar si fajtori kryesor pse kosovarëve nuk iu hoqën vizat më 2016, për shkak të bllokimit të ratifikimit të demarkacionit në Kuvend, Veseli e sheh këtë kusht më shumë si arsyetim të Bashkimit Evropian karshi Kosovës.

“Nuk jam shumë i sigurt, në rrethanat pas BREXIT-it brenda Bashkimit Evropian, rrethanat e një krize veçanërisht pas krizës së refugjatëve brenda BE-së, se është vetëm çështja e demarkacionit ajo që na mban peng në liberalizimin e vizave”.

Në këtë intervistë, Veseli flet dhe për murin “e turpshëm” në afërsi të urës së Ibrit.

Ai është i prerë se muri do të rrënohet. “Sa më shpejt është më mirë. Mosvendosmëria e institucioneve tona në këtë çështje e humb kuptimin e marrjes me politikë. Lejimi i tij e dëmton reputacionin e Kosovës”, shprehet kryeparlamentari.

Ndër sukseset më të mëdha të Kuvendit gjatë vitit që po ikën, Veseli veçon nxjerrjen e Ligjit për Trepçën.

Sipas tij, ky ligj krijon perspektivë të garantuar për ish-gjigantin industrial të Mitrovicës. “Trepça ka qenë, është dhe do të mbetet pronë e Kosovës. Nuk dëshirojmë t’i japim konotacion veprimtarisë ekonomike të Trepçës. Nuk ka konotacion ndëretnik, por tërësisht ekonomik… Trepça është një, nuk ka veri apo jug, dhe si korporatë e re do të funksionojë shumë mirë “.

Veseli parashikon që Trepça t’i zgjerojë veprimtaritë e saj prodhuese dhe se do të bëhet një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

INTERVISTA E PLOTË ME KRYETARIN E KUVENDIT TË KOSOVËS, KADRI VESELI:

EO: Kuvendi i Kosovës po e mbyll një vit të vështirë, së paku nga ajo që është parë nga jashtë, sidomos në pjesën e parë të vitit, me gaz lotsjellës e skena që nuk i shkojnë shumë një parlamenti… Puna e mirëfilltë, nxjerrja e ligjeve, sikur ka rënë nën hije, nuk i është dhënë shumë hapësirë as në medie. Por, si e vlerësoni ju këtë vit legjislativ? Sa ligje janë nxjerrë, sa seanca janë mbajtur, nëse krahasohet me vitet e kaluara a është më mirë, më keq?

Veseli: Kemi arritur suksesshëm që mbi 98% të agjendës parlamentare, e cila ka qenë e paraparë, të realizohet. Këtu po flasim për ato që kanë ardhur si projektligje, apo vendime për ratifikim, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ka pasur një fillim vërtet të vështirë. Me kalimin e kohës ka filluar një normalizim i situatës. Në momentin kur po flasim kemi një rikthim të të gjitha grupeve parlamentare në punën e Kuvendit. Dy grupe parlamentare janë tërhequr, kemi pasur reaksione gjysmë-bojkotuese nga opozita, pastaj kthimi i tyre. Lista Serbe na është tërhequr për shkak të Trepçës, më pas kemi pasur rikthim të tyre. Ajo që është kryesore në Kuvend është jo vetëm realizimi i objektivave që ka pasur Kuvendi por nxjerrja e disa ligjeve që kanë pasur drejtpërdrejt ndikim në jetën e qytetarëve, po flas për Ligjin e Trepçës, Ligjin për Investime Strategjike; kemi arritur të përmbyllim me sukses pakon ligjore për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit etj. Me të vërtetë ka pasur disa suksese të cilat janë të shënuara, sidoqoftë nuk i kemi arritur t’i realizojmë disa nga objektivat. Demarkacioni ka filluar e përfunduar duke na përcjellë si agjendë, por që nuk është përfunduar. Pra, kjo është situata reale në Kuvend.

EO: A është meritë edhe e juaja si kryesues i Kuvendit që i ke mbajtur nën kontroll tensionet?

Veseli: Kjo do të mbetet pjesë e konsideratës publike. Jam munduar, në rend të parë, ta kryej me përgjegjësi rolin tim kushtetues, rolin institucional. Jam kryetar i Kuvendit por gjithmonë jam munduar të jem një nga 120 deputetët e Kuvendit, të jem korrekt, edhe pse jo çdoherë edhe kolegët e mi kanë qenë. Sido që të jetë lufta politike ndonjëherë i kalon kufijtë e korrektësisë. Unë jam i kënaqur se kemi pasur një funksionalitet të mirë të Kuvendit, kemi arritur të nxjerrim ligje në dobi të qytetarëve dhe për asnjë moment nuk ka mbetur Kuvendi për t’u fajësuar që s’kanë kaluar ligjet; po flas kur ka pasur konsensus politik dhe arritshmëri; në rastin e demarkacionit është dashur 2/3 e deputetëve. Në të njëjtën kohë, sado pasqyrë negative ka qenë gazi lotsjellës, në Kuvendin tonë nuk kanë ndodhur gjëra që kanë mundur të kenë ndonjë eskalim dhe dëmtim të proceseve…

EO: Buxheti për vitin 2017 i miratuar së fundi arrin shifrën prej 2 miliardë eurosh. A premton ky buxhet zhvillim ekonomik? PDK-ja i ka pasur disa vërejtje. A janë përfshirë ato në draftin përfundimtar?

Veseli: Një pjesë e tyre e konsiderueshme janë përfshirë. Është një buxhet modest, për mendimin tim, por në suazat e zhvillimit ekonomik që kemi ky është buxheti që e kemi. Jemi munduar që në mënyrë sa më adekuate ta kemi përfshirjen në investime kapitale dhe investime të tjera të buxhetit tonë. Kryesorja është shtytja që presim të kemi pas miratimit të Ligjit për Investime Strategjike dhe atij të Trepçës; veçanërisht Ligji për Investime Strategjike do të t’iu hapë perspektivë investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë në kushte më të favorshme. Po presim të ketë ndikim të drejtpërdrejtë ne zhvillimin ekonomik. Ne duhet të zgjerojmë të bërit biznes në kuptimin e bizneseve prodhuese, të jemi më atraktiv si vend, kemi pasur pak investitorë të huaj këto dy vitet e fundit dhe në të njëjtën kohë duhet t’i inkurajojmë investitorët që i kemi tani të kenë mundësi afarizmi më të suksesshme.

EO: Ka pasur hapur deputetë të PDK-së, si Shukri Buja, që duke marrë shkas nga këto diferencat sa i përket Buxhetit, që kanë kërkuar prishjen e koalicionit me LDK-në. A kanë qenë këta zëra “të vetmuar” apo kanë qenë edhe me lejen e juaj si kryetar i partisë?

Veseli: Zotëri Buja ka mbajtur qëndrimin e deputetit, përkatësisht të kryetarit të degës së PDK-së. Ai ka qenë i lirshëm të thotë mendimin e tij, kjo është demokracia e brendshme në partinë tonë, Sido që të jetë qëndrimin politik të PDK-së e barti unë si kryetar i saj dhe nuk kam pasur asnjë arsye që mos ta bartë publikisht vetë. Ato të cilat është dashur i kam thënë, ato që është kërkuar që të barten në buxhetin e Kuvendit, projektet që kanë prekur interesin vital të qytetarëve i kemi akomoduar në kuadër të buxhetit tonë. Kemi qenë si partnerë koalicioni shumë korrektë mes vete, të vetëdijshëm që buxheti është modest, por në të njëjtën kohë të vendosur që buxheti duhet të rritet përmes politikave tona të vendimmarrjes në koalicion.

EO: Edhe ky vit po mbyllet pa liberalizim për kosovarët? Kushte kryesore, sipas BE-së, mbetet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, por edhe luftimi i korrupsionit. Ajanë këto kushte të drejta? Kë e konsideroni fajtorin kryesor për këtë izolim që po vazhdon me vite?

Veseli: Ne kemi 6 vite që jemi të vetmit të izoluar të Ballkanit Perëndimor në konceptin e izolimit të liberalizimit të vizave. Një kusht i cili ka qenë demarkacioni dhe “Track Recordi” i cili ka qenë kundër krimit të organizuar, duhet të potencoj që Kosova ka pasur përparime shumë të mëdha. Nga 33 raste të dhëna si kusht, mbi 80% janë trajtuar suksesshëm. Domethënë nuk është çështja e “Track Recordit” që është vënë si kusht, por si shkas merret demarkacioni. Por, nuk jam shumë i sigurt në rrethana pas BREXIT-it brenda Bashkimit Evropian, rrethanat e një krize veçanërisht pas krizës së refugjatëve brenda BE-së, nuk është vetëm çështja e demarkacionit ajo që na mban peng në liberalizimin e vizave.

Ne jemi të orientuar të lëvizim nga Bashkimi Evropian, jo vetëm të plotësojmë standardet të cilat janë në të mirë të vendit tonë e jo vetëm si kusht i BE-së.
Fuqizimi i shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik janë prioritete tona, e jo vetëm kushte të BE-së. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit, derregullimi i hapësirave ligjore të cilat po krijojnë situata ngulfatëse për biznese. Në të njëjtën kohë luftimi i nepotizmit me iniciativa konkrete që unë si kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së i kam marrë, siç është Memorandumi i Bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, çështjen e rekrutimit të personave udhëheqës në borde dhe agjenci të pavarura qeveritare e kuvendare, borde publike. Në të njëjtën kohë iniciativa që ka rezultuar shumë e suksesshme – largimi i uzurpatorëve në pronën publike për të dërguar mesazh që askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Shteti është gjithmonë më i fortë, mund të vonohet por nuk do të ketë asnjëherë tolerim ndaj asnjë devijimi.
Ne synojmë forcimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, kjo do t’i përmirësonte kushtet e qytetarëve për jetesë dhe perspektivë më të mirë vendit në integrime euro-atlantike.

EO: Pra, po thoni që luftimi i korrupsionit nuk është më kusht? Në njëfarë mënyre, Kosova veç e ka treguar përkushtimin e saj në luftën kundër tij?

Veseli: Luftimi i korrupsionit do të jetë kusht çdoherë në një shtet demokratik, jotoleranca ndaj krimit të organizuar gjithashtu. Kosova ka bërë një progres të konsiderueshëm që është vlerësuar edhe nga partnerët e Bashkimit Evropian dhe nuk thuhet në asnjë deklaratë se “Track Record” për krimin e organizuar paraqet pengesë në liberalizimi e vizave.

EO: Pas shumë vitesh paqartësie, është miratuar Ligji për Trepçën. A besoni se me këtë ligj, ish-gjiganti industrial do ta rimëkëmbet? A do të menaxhohet nga Qeveria pjesa e ndërmarrjes “Trepça” që gjendet në veri të Mitrovicës? A trajton çështjen e kreditorëve të përfolur Ligji për Trepçën?

Veseli: Kemi punuar shumë dhe kemi qenë të vendosur për Ligjin. Jam i kënaqur dhe krenar që isha kryetar i Kuvendit dhe munda të finalizoj diçka që është dashur te finalizohet shumë më herët. Gjithsesi, ligji i krijon perspektivë më të fuqishme dhe të garantuar “Trepçës”. Nuk ka dilemë se do të ketë përkrahjen e institucioneve të Kosovës apo për ndarje pavarësisht çdo reaksioni. “Trepça” ka qenë, është dhe do të mbetet pronë e Kosovës. Nuk dëshirojmë t’i japim konotacion veprimtarisë ekonomike të “Trepçës”. Nuk ka konotacion ndëretnik, por tërësisht ekonomik…”Trepça” ka perspektivë, mund t’i zgjerojë veprimtaritë e saj prodhuese dhe do të jetë një ndër shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës, kjo do të vërtetohet shumë shpejt besoj. Trepça është një, nuk ka Veri apo Jug, dhe si korporatë e re do të funksionojë shumë mirë, do ta ketë përkrahjen e plotë tonën.

EO: E ke marrë drejtimin e partisë pas dy mandatesh në qeverisjeje dhe dihet që është vështirë të merret një mandat i tretë. Testin e parë e patët në Drenas? Në raundin e parë, PDK nuk mori vota sa është pritur në një komunë të konsideruar si bastion? Çfarë mësimesh keni nxjerrë nga këto zgjedhje, për zgjedhjet e radhës? Kur mund të presim zgjedhje?

Veseli: Drenasi, neve si parti më e madhe në vend, na ka treguar se sa duhet të jemi më afër qytetarëve. Drenasi është shembulli më i mirë i një përkrahje të PDK-së. Kemi marrë ato vota që i kemi pasur edhe në vitin 2013, kur shumë është tentuar të kontestohet rezultati zgjedhor. Fitorja në Drenas nuk e ka rëndësinë vetëm nga thellësia e fitores, por edhe nga një proces i lirë demokratik e transparent. Në përfundimin e fitores sonë bindëse askush nuk është ankuar. Drenasi është një shembull i mirë i zgjedhjeve, një mesazh i mirë se si zyrtarët e PDK-së duhet të jenë më të afërt me qytetarin, të jenë pjesë e tij, pushtetin ta shohin si përgjegjësi e jo vetëm si privilegj. Ju jam mirënjohës shumë atyre njerëzve, kanë qëndruar në ambiente të jashtme në temperatura deri në -7 gradë celsius, duke mbajtur tubim veçanërisht në raundin e dytëkur ndodhi një shpërthim i vrullshëm, reagim i elektoratit të PDK-së , të cilët kishin menduar se në pjesën e parë do të kalonin shumë lehtë, duke mos i marrë familjarët, por duke shkuar për të votuar vetëm kryefamiljarët. Drenasi është shembull i suksesit dhe i reformimit.
Jam shumë i orientuar në reforma, në afrimin e njerëzve të profileve të reja, fuqizimin e vendimmarrjes, grave do t’iu japim hapësirë më të madhe. Kam filluar me 40% në kryesinë e PDK-së, do të vazhdoj me strukturat e degëve por në të njëjtën kohë edhe me afrimin e kapaciteteve të reja me profile intelektuale, morale, akademike që janë duke abstenuar. Në çdo tubim publik bëj thirrje që mos të largohen nga vendimmarrja politike, sepse ajo përcakton të ardhmen e jetës së qytetarëve dhe familjeve të tyre. Ata duhet të marrin përgjegjësi dhe shoh se vizioni im çdo ditë po dëgjohet. Kemi njerëz që po afrohen dhe po e përsëris se kam pasur një takim me disa intelektualë, shumica kryejnë specializimet në SHBA dhe në vende perëndimore, të cilët e kanë dëgjuar këtë mesazh dhe ma kanë thënë në zyrën time të partisë se do të afrohen pasi që besojnë se kanë hapësirën më të madhe të angazhimit tonë dhe nuk duan të qëndrojnë te kulti i televizionit dhe të jemi të hidhëruar ose nervozuar kur diçka nuk shkon mirë. Prandaj bëj thirrje që njerëzit që kanë ç’t’i japin këtij vendi të futen në politikë. Hapësirën dhe mundësinë do ta kenë më të madhe në PDK.

EO: Megjithatë në strukturat drejtuese të partisë shohim fytyrat e vjetra?

Veseli: Procesi do të jetë i reformave dhe ne s’kemi pse të humbim kualitetet e mira që i kemi, ata kanë dhënë shumë për vendin dhe partinë, por nuk i bllokojmë ardhjet e njerëzve që kanë mundësi, intelektualitet dhe dije për vendin e vet. Kjo po ndodh në mënyrë jo pompoze, e imja është të bëj ditë për ditë. Kjo është vetëm një pjesë e vizionit tim për reforma në PDK. Duhet t’u japim përkrahje sa më shumë të rinjve dhe grave. Kam vendosur Dhurata Hoxha-Sadikun, një ndër gratë më të suksesshme në PDK, do të vazhdoj të sjell frymë të re si në parti edhe në qeverisje. Të jeni të bindur se do të shihni hapa të mëtutjeshëm.

EO: Z. kryeparlamentar, gjatë tërë vitit kemi parë që partitë opozitare kanë kundërshtuar ashpër marrëveshjet e arritura në Bruksel, përkitazi me demarkacionin dhe Asociacionin, a mendoni se duhet arritur një kompromis me partitë opozitare për këto tema të rëndësishme, të cilat sikur kanë hyrë në qorrsokak. A mund t’iu premtoni qytetarëve se më 2017 do të ketë liberalizim?

Veseli: Është rregull në një shtet demokratik të ketë komunikim mes pozitës dhe opozitës, këtë gjë e kam kërkuar edhe si kryetar i PDK-së por edhe i Kuvendit njëkohësisht. Duhet të marrim përgjegjësi në rolet tona të ndara. Unë isha iniciator i një ideje që s’ka gjetur përkrahjen e opozitës, të mblidhemi në tryezën e partive politike. Opozita mund të marrë përgjegjësi që kanë të bëjnë me kontrollin demokratik të institucioneve. Në terma më konkretë, kam propozuar që opozita të marrë, gjithsesi me konsensus dhe me respektimin e të gjitha procedurave ligjore dhe institucionale, drejtimin e Agjencisë Anti-Korrupsion, Auditorin e Përgjithshëm; të marrin përgjegjësi në ato vende ku kanë mundësi kontrolli demokratik të institucioneve.
Kjo do t’i bënte mirë shoqërisë, shtetit, që të dy palët të marrim përgjegjësi. Më vjen keq ta them por opozita nuk e dëgjon këtë pjesë, shpesh bëjnë akuza të rënda të cilat nuk sjellin asnjë hair. Më e rëndësishmja është që ne duhet të komunikojmë bashkërisht për çështjet e shtetit, kryerjen e obligimeve si shtet, për çka s’ka opozitë ose pozitë. Ndërsa mund të flasim në rolin e opozitës në përmirësime në fushën e politikës, në ekonomi, legjislacion, çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës e ligjshmërisë brenda institucioneve, por dhe përmirësimin e jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Në fillim të vitit do të marrë një iniciativë, si kryetar i partisë më të madhe, do të kërkoj të mblidhemi në një tryezë të partive politike, të bisedojmë për temat e mëdha për vendin tonë, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qenësinë e shtetit tonë dhe të ardhmen e vendit. Këtu e kam parasysh çështjen e demarkacionit, Asociacionit, pse jo edhe çështjen e dialogut, pse të mos përfshihet dhe opozita në dialog. Të futemi në pjesën e legjislacionit që ka të bëjë drejtpërdrejt me rritjen e ligjshmërisë në shtetin tonë, me përmirësimin e të bërit biznes, në nxitjen e investitorëve, përmirësimin e bilancit tregtar. Këto gjëra duhet t’i arrijmë bashkë, por opozita nuk duhet të ketë rol bllokues, por rol aktiv në marrjen e përgjegjësive si parti opozitare që janë.

EO: Të duket se AAK-ja ka lëvizur paksa nga kjo bllokadë, është më fleksibile në qëndrime?

Veseli: Nuk kam dëshirë t’i ndaj kolegët e mi, si në pozitë ashtu edhe në opozitë. Partneriteti im është në baza të interesit të shtetit me të gjitha partitë politike, edhe me atë që jemi aktualisht në koalicion, LDK-në, por edhe partitë opozitare. Nuk duhet të kemi armiqësi mes vete, na ka votuar dikush dhe secili prej nesh përfaqëson një segment të elektoratit. Sa më e madhe fuqia politike, natyrisht duhet të jetë edhe përgjegjësia dhe respekti. Si shembull, unë si lider i partisë më të madhe në vend jam munduar që t’i respektojë partitë me fuqi më të vogla elektorale edhe pse shpesh e kalojnë kufirin e mirësjelljes.

EO: Muri në veri i ndërtuar nga autoritetet e atjeshme komunale ka nxitur debat dhe emocione. A mendoni që ka vend për “ridizajnim”, sikur po thuhet, të këtij muri, apo ai duhet të rrënohet tërësisht?

Veseli: Unë s’e kuptoj kur u zbulua termi dizajnim; nuk ka dizajnim në një shëmti, nuk ka as shkallë as vizatime as mur. Duhet të largohet ajo shëmti nga aty; në mesjetë nëse do të ndodhte do të ishte e turpshme. Në mes të Evropës në shekulli 21 të ketë mur?! Kjo është e papranueshme. Muri do të rrënohet…

EO: Kur?

Veseli: Sa më shpejt është më mirë. Mosvendosmëria e institucioneve tona në këtë çështje e humb kuptimin e të marrit me politikë. Lejimi i tij e dëmton reputacionin e Kosovës, i dëmton vetë qytetarët serbë. Ç’perspektivë krijohet për ta nga ky mur? Çka nëse ndërtohet edhe një mur në Graçanicë, ta zëmë? Unë kam besim te SHBA-ja dhe partnerët tanë, Bashkimin Evropian, që të vazhdojë dialogu, të implementohen marrëveshjet. Dialogu na bën mirë te dyja palëve, kryesore është rrënimi i murit. Duhet të mendojmë për mënyra të komunikimit dhe të lëvizjes së lirë, kthimin e qytetarëve (shqiptarë) të pjesës veriore që i kanë rreth 400 apartamente te uzurpuara, të lirohen ato, qytetarët tanë të kenë qasje në spitalin në veri; edhe veriu të ketë qasje në spitalin në jug. Domethënë duhet të ketë lëvizje të lirë, muret nuk krijojnë perspektivë.
Do t’i ndihmojmë qytetarët e pjesës veriore që të kenë përparësi. Jemi para nxjerrjes së Ligjit për integrim në fushën e punësimit të qytetarëve të pjesës veriore; do të ketë lehtësira për kompanitë që i punësojnë këta qytetarë dhe do të vazhdojmë me investime e ndërtime të shtëpive, shkollave, rrugëve. Ky është orientimi ynë atje për të gjithë qytetarët pa dallim etniteti. Në rend të parë është ta rivendosim një padrejtësi, njerëzit duhet të kthehen në pronat e tyre.

Të ngjashme