Bizneset prodhuese dhe përpunuese do të mbështeten edhe më shumë me grante, subvencione dhe me politika fiskale, në mënyrë që ata të kenë më shumë prodhim për tregun e brendshëm dhe të jashtëm.
Kështu tha sot ndër të tjera, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në manifestimin “Dita e Patates” që u mbajt në Pestovë të Vushtrrisë.
Para fermerëve dhe përpunuesve të patates, Kryetari Veseli theksoi se Kosova është vend i njerëzve punëtorë dhe i mundësive të mëdha në ekonomi.
“Patriotë bashkëkohorë janë prodhuesit, punëtorët e vyer të Kosovës, ata që me punën e tyre, me iniciativat e tyre ekonomike hapin vende të reja të punës”, tha ai, duke shtuar se vizioni në dekadën e dytë të pavarësisë është që Kosova të prodhojë dhe eksportojë sa më shumë produkte.
“Qeveria e Kosovës i ka të qarta obligimet e saj: të sigurojë mbështetje të plotë për bizneset vendore. T’i përkrah ato, jo vetëm me subvencione, por edhe me lehtësirat e kërkuara fiskale dhe me masa të tjera, që prodhimet kosovare të mund të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi kryetari Veseli.
Ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, ka thënë se patatja është një nga produktet që për disa vjet ka arritur që të prodhohet mjaftueshëm për tregun vendor dhe me këtë produkt ai tregoi se po arrijmë që t’i plotësojmë nevojat e konsumit vendor që është një qellim që synohet të arrihet edhe në produktet tjera, si pemët e perimet.
“Ministria e Bujqësisë, e ka mbështetur prodhimin e patates për vite me radhe, dhe kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme përmes skemës së subvencioneve dhe granteve. Kjo mbështetje e ministrisë po ndikon në zhvillimin e kompanive, të cilat përmes investimeve të ministrisë po arrijnë të sjellin në tregun vendor produkte cilësore të papate4s e të kulturave tjera bujqësore”, ka thënë ministri Rikalo.
Ndërkaq, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kultivuesit e patates do ta kenë mbështetjen nga pushteti lokal për avancimin e mëtejmë të bujqësisë në këtë komunë, në veçanti të patates si prodhim unik në këtë zonë.
Po ashtu, me rastin e shënimit të kësaj dite, kompania për prodhimin dhe përpunimin e patates “Pestova”, ka inauguruar qendrën për grumbullimin dhe ruajtjen e patates, ndërtimi i së cilës është përkrahur nga grantet e MBPZHR-së.