Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së Kadri Veseli është kthyer mbrëmë në Kosovë. Mëngjesin e së shtunës ai është parë në takim me disa prej zyrtarëve të PDK-së nga dega e Prishtinës.
Në një intervistë të shkurtër për RTV 21, Kadri Veseli ka treguar se as nuk ka qenë dje në Hagë e as nuk ka ftese t’i përgjigjet kësaj gjykate. “Nuk kam pasur ftesë për Hagë. Si do që të jetë, ne do t’i kryejmë obligimet tona, ato të cilat i kemi, të cilat janë fokus i qytetarëve të vendit tonë.
Nuk do të zhvendosemi nga prioritetet të cilat i kemi dhe do të jemi dinjitoz. Thërras të gjithë, mediat, qytetarët që bashkërisht të fokusohemi në pjesën që është më qenësore, prioritetet e qytetarëve, interesi shtetëror, e vërteta e Kosovës për faktin se kështu mund të ecim përpara”, ka thënë Veseli, ndërsa ka shpjeguar se ku ishte dje pasdite.
“Isha në Lublanë. Në fakt kam udhëtuar me zëvendëskryeministrin dhe kolegun tim, zotin Enver Hoxhaj, i cili pastaj ka vazhduar drejt Frankfurtit për një takim zyrtar. Kam qenë i befasuar edhe vetë. Në momentin kur kam arritur në Lublanë jam befasuar edhe vetë. Ky është pluralizëm medial, dhe e përsëris se ne nuk duhet ta ndërrojmë fokusin nga prioritetet që i kemi, pavarësisht ndonjë interesi apo motivimi cilido që të jetë. Thërras të gjithë qytetarët e vendit tim që të fokusohen në prioritetet që i ka Kosova: Drejt OKB-së, në procesin historik të marrëveshjes me Serbinë, Kosova drejt të vërtetës. Do të jetë e obligueshme të dihet ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë. Ka ndodhur një gjenocid serb në Kosovë, kanë ndodhur 186 masakra dhe njerëzit nuk duhet të mendojnë se ne do ta harrojmë të kaluarën, por nuk do të mendojmë për revansh, nuk do të mendojmë për konflikt, të mendojmë për paqe, për drejtësi”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka folur edhe për Gjykatën Speciale të cilën e ka votuar shteti i Kosovës.
“Ne e kemi krijuar në institucionin që unë e drejtoj, Gjykatën Speciale. Ka qenë një vendim i dhembshëm për të cilin u kam bërë thirrje edhe gjithë bashkëluftëtarëve. Ne duhet t’i përgjigjemi edhe kësaj sfide. Kjo është sfidë për Kosovën. Në qoftë se dikush mendon se unë kam marrë vendim se e kam menduar interesin tim personal, ky është gabimi më i madh. Duhet ta dijë secili: Unë mendoj dhe veproj vetëm për interesin e kombit dhe shtetit tim. Edhe kjo është ajo që do të më mbajë deri në fund. Nuk ka çmim, nuk ka sakrificë që mund të më gjunjëzojë në rrugëtimin tim në interes të kombit dhe shtetit tim. Kosova duhet të ecë përpara. Kjo është pjesa kryesore dhe Kosova do ta fitoj të drejtën e vet”, tha Veseli.
Por, si ndodhi që pikërisht në ditën që Veseli propozoi formimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, të raportohet se ai është nisur për në Hagë?
“Nuk dua as të spekuloj. Unë kam ndërmarrë disa iniciativa të cilat kanë të bëjnë me një Tribunal Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë. Natyrisht se Serbia nuk është e gëzuar nga kjo. Kijeni parasysh, nuk është kjo iniciativë e cila është shumë e lehtë dhe e përballueshme me Serbinë por ne do t’i shkojmë deri në fund. Kriminelët do të përgjigjen. Ata nuk kanë qenë të zot të ballafaqohen me mua. Unë kam qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në UÇK, të jem shumë i drejtpërdrejt. Për arsye se nuk kanë mundur t’i përballojnë armët tona edhe të aleatëve tanë të NATO-s, atëherë ata kanë bërë masakra ndaj bashkëqytetarëve tanë. Do të përgjigjen të gjithë. Kemi me i ndjekë derisa të jenë gjallë. Ky është mesazhi im për ta. Nuk ka asnjë hakmarrje e asnjë revansh, por asnjë zmbrapsje në këtë rrugëtim. Do të ecim përpara për aq sa, nëse ka diçka urdhëroni, jemi këtu. Do të përgjigjemi para Zotit edhe para Kombit tonë dhe para çdo drejtësie për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftën e shenjt të popullit tonë mbrojtëse për lirinë”, tha Kryeparlamentari Veseli.