Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, është pritur sot pasdite në një takim të posaçëm nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Veseli dhe Mogherini diskutuan për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës, me theks të veçantë zbatimin e MSA-së dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Në këtë takim, kryetari i Kuvendit konfirmoi qëndrimin institucional të Kosovës për të zgjidhur me dialog çështjet e hapura me të gjithë fqinjët e saj, në mënyrë të veçantë me Serbinë, ndërsa shfaqi bindjen se dialogu midis dy shteteve do të përmbyllet me njohjen reciproke të tyre.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën evropiane të saj, forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe për të lehtësuar dialogun me fqinjët.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave dhe tani pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe votimit në Parlamentin Evropian, pret vendimmarrje pozitive brenda këtij viti nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së.
Ai vlerësoi se anëtarësimi i Kosovës në BE është objektiv nacional i Kosovës dhe përbën konsensusin politik të të gjithë spektrit politik në Kosovë.
Veseli falënderoi përfaqësuesen e BE-së për përkrahjen e vazhdueshme që ajo i ka dhënë perspektivës evropiane të Kosovës, zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.