Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se nuk i frikësohet zgjedhjeve asnjëherë.
Megjithatë, ai ka lënë të nënkuptohet se tash për tash nuk planifikohet shkuarja në zgjedhje të parakohshme.
“Nuk frikësohemi nga zgjedhjet sepse e respektojmë vullnetin e popullit. Ne jemi partia e parë por koalicioni po vazhdon sepse kemi përgjegjësi, objektiva dhe procese për të përmbushur. Në bazë të Kushtetutës sonë ne do të kemi zgjedhje lokale në nëntor të këtij viti, derisa në qershorin e vitit 2018 do t’i kemi zgjedhjet nacionale.
Koalicioni me LDK-në është optimal dhe po funksionon. Mirëpo, në rast të ndonjë marrëveshje politike ne jemi të lejuar të shkojmë në zgjedhje të parakohshme në çdo moment.
Pra kur kemi marrëveshje politike, kur ka stabilitet politik mund të shkojmë me marrëveshje në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Veseli për RTK-në.