Kryetari Veseli ngushëllon familjen Ramadani, me rastin e vdekjes së nënës së heroit Agim Ramadani.
Me rastin e vdekjes së nënës së heroit Agim Ramadani, Fetihe Ramadani, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një telegrami, i ka shprehur familjes Ramadani ngushëllimet më të sinqerta.
“Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të nënës së madhe, Fetihe. Nëna e heroit Agim Ramadani, si të gjitha nënat e tjera të Kosovës, ishte burim i frymëzimit patriotik e atdhetar të bijave dhe bijve më të mirë të vendit, të cilët në momente të kthesës historike, nuk kursyen as gjakun e tyre, për lirinë të cilën ne sot e gëzojmë. Duke bashkëndjerë me ju këtë dhembje të madhe, më lejoni që, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit Veseli.