Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar masakrën që ka ndodhur në vitin 1999 në “Lagjen e Trimave”, në Prizren.
Veseli ka thënë se nuk do ta ndal angazhimin e tij për të themeluar tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“26 Maji i vitit 1999, u kthye në tragjedi për popullin tonë në ‘Lagjen e Trimave’ të Prizrenit. Forcat serbe vranë e masakruan 27 civilë shqiptarë të cilët kishin vendosur të mos largohen nga shtëpitë e tyre kur mijëra të tjerë po dëboheshin drejt Shqipërisë.
Vrasja e tyre 21 vite më parë ishte hakmarrje e egër e forcave serbe ndaj kësaj lagje dhe fshatrave të Vërrinit e Opojës të cilët ishin baza të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare kundër Serbisë. Djemtë dhe vajzat e kësaj lagje ishin luftëtarët më të mirë e trima të UÇK-së”, ka shkruar Veseli në Facebook, transmeton Telegrafi.
Kreu i PDK-së, ka pohuar se të gjithë kriminelët serb duhet vënë para drejtësisë.
“Unë nuk do të ndalem në angazhimin tim për të themeluar Tribunalin për dënimin e krimeve serbe të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne nuk duhet të pushojmë së punuari për të vënë para drejtësisë të gjithë kriminelët serb që masakruan qytetarët tanë të pafajshëm”.