Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të marr pjesë në takimin e ftuar për sot me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, raporton Ekonomia Online.
“Takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja – dhe çfarëdo iniciative për rinisje të procesit të dialogut me palën serbe, është i tejkaluar dhe i paqëndrueshëm derisa Kosova vazhdon me qenë peng i inateve dhe paaftësisë për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje dy forcat politike, LVV dhe LDK”, tha Veseli në konferencë para gazetarëve.
“Kërkojmë që mosprezenca jonë të kuptohet edhe si alarm se procesi i dialogut viteve të fundit ka degraduar si edhe nga mungesa e qëndrimit me pro-aktiv e determinues te BE-së si ndërmjetëse e këtij procesi. Kosova ka treguar në të kaluarën përkushtimin e saj në këtë proces”.
“PDK-ja, pas krijimit të institucioneve të reja, në bazë të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve, është e gatshme të angazhohet në proces për të arritur një marrëveshje historike”, tha Veseli.
Deklarata e plotë e Kadri Veselit:
Faleminderit për praninë tuaj në këtë konferencë. Në vijimësi të asaj që kemi komunikuar mbrëmë lidhur me vizitën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zotin Josep Borrell – Partia Demokratike e Kosovës në mbledhjen e kryesisë ka marrë qëndrim përkitazi me zhvillimet e fundit politike që ndërlidhen drejtpërdrejt me këtë vizitë të zyrtarit të lartë evorpian në vendin tonë sot.
Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson lartë mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian që i ka ofruar Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së saj; Ne i mirëpresim vizitat e çdo zyrtari të lartë evropian në vendin tonë. Ne i çmojmë përpjekjet dhe përfshirjen në normalizimin dhe avancimin e komunikimit fqinjësor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lidhur me takimin e sotëm të thirrur nga Zyra e BE-së në Kosovë mes Përfaqësuesit të lartë z. Borell me udhëheqës të partive politike, unë si kryetar dhe PDK-ja nuk do të marrim pjesë në këtë takim si gjest politik dhe mesazh se:
– Takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja – dhe çfarëdo iniciative për rinisje të procesit të dialogut me palën serbe, është i tejkaluar dhe i paqendrueshëm derisa Kosova vazhdon me qenë peng i inateve dhe paaftësisë për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje dy forcat politike, LVV dhe LDK; – Kërkojmë që mosprezenca jonë të kuptohet edhe si alarm se procesi i dialogut viteve të fundit ka degraduar si edhe nga mungesa e qendrimit me pro-aktiv e determinues te BE-së si ndërmjetëse e këtij procesi. Kosova ka treguar në të kaluarën përkushtimin e saj në këtë process. PDK-ja, pas krijimit të institucioneve të reja, në bazë të Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëtve, është e gatshme të angazhohet në proces për të arritur një marrëveshje historike;
– Takimi i sotëm si dhe ndërlidhja e dialogut me procesin e forimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës është i dëmshëm dhe ndarës. Ky nuk i kotribuon vet procesit të dialogut duke krijuar një klimë të brendshme mosbesimi mes palëve dhe nuk i kontribuon për vetë epilogun e procesit;
– Përmes mospjesëmarrjes sonë në takimin e sotëm, shprehim shqetësimin tonë të thellë para Përfaqësuesit të Lartë të BE lidhur me mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përkundër plotësimit të të gjitha kritereve të kërkuara dhe premtimeve të mos realizuara. Ky veprim po përjetohet si një qëndrim diskriminues dhe aspak i arsyetuar, që po krijon ndjesi getoizimi te qytetarët e Kosovës duke na vë në pozitë të pabarabartë me Serbinë;
– Ne ftojmë Lëvizjen Vetëvendosje si fituese si parti e parë dhe partnerin e saj paraelektoral të mos e dëmtojë nga brenda procesin e mirëbesimit politik dhe rendin kushtetues, dhe të mos e cenojë sovranitetin e vendit jashtë duke përfshirë në mënyrë të dëmshme partnerët ndërkombëtar. Këto parti duhet ti marrin përgjegjësitë që kanë premtuar para qytetarëve dhe t’i përmbushin pritjet që projektuan këto dy parti;
– I ftoj qytetarët e Kosovës që ta ruajnë besimin në shtetin dhe institucionet e Kosovës.