Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka folur rreth anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Ai tha se është optimist se kjo do të ndodh duke përmendur edhe tendencën e Serbisë për ta penguar këtë proces, duke hedhur akuza për të njollosur Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Asgjë nuk është e pazakontë. Serbia është duke e luajtur këtë rol. Serbia mendon që do të përfitoj me akuzat e veta se Kosova është çerdhe e terrorizmit, nuk do të ketë sukses. Institucionet tona e kanë bërë një punë të mirë për Interpol, jam optimist por s’do të flasim pa u kryer puna për vet faktin se Serbia është duke luajtur një rol destruktiv kundër Kosovës”, ka thënë Veseli.
Ndërkaq sa i përket takimit që do ta ketë në orën 13:00 me dy prej ministrave, atë të Financave, Bedri Hamzën dhe me atë të Drejtësisë, Abelard Tahirin si dhe kryeshefin e Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Shaip Havollin, Veseli tha se ky takim po bëhet me qëllim që reformat në gjyqësor të kenë efektin e tyre.
“Le ta dijë secili që në Kosovë do të sundoj ligji dhe në Kosovë do të jetë e patolerueshme zhvatja e pasurisë publike. Do të ketë jo tolerancë dhe përgjigje e merituar për ata që mendojmë që do të pasurohen në kurrizin e qytetarëve tanë”, ka thënë Veseli.
E, në lidhje me dhënien e pronave të AKP-së, në shfrytëzim të komunave serbe ai tha se do të merret ligji.
“Koalicioni do të vazhdojë aq sa i nevojitet qytetarëve të Kosovës. Ligji do të respektohet në përpikëri. Nëse ka pas gabime atëherë prapë do të merret ligji”, është shprehur Veseli.