Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar unitet politik në dobi të fuqizimit të integritetit dhe sovranitetit.
“Është faza e një modernizimi të shtetit dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes një vizioni dhe objektivave që i ka PDK-ja, dhe e transformon shoqërinë tonë. Nuk do ta fyejmë askënd dhe do të punojmë me dinjitet për vetë faktin se me shumë sakrificë kemi arrit deri këtu,” është shprehur Veseli, në hapjen e fushatës për zgjedhje të brendshme partiake në Prizren.
Veseli rikonfirmon angazhimin për miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, raporton Ekonomia Online.
“Kërkojmë të fuqizojmë integritetin dhe sovranitetin, kur sot po ka zëra se PDK nuk ka qëndrim të qartë. Qëndrimin e kemi të qartë qysh kur e kemi largu Serbinë. Nuk ka parti në Kosovë, në hapësirën shqiptarëve që do të punojë për rrethana të reja dhe integrime euroatlantike. Ne jemi ata që e përcaktojmë të ardhmen miqësinë e përhershme me ShBA-të, anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian,” është shprehur Veseli.