Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka premtuar përkrahje për prodhimet vendore në nivelin komunal. Këtë ai ka thënë se do ta bëjnë përmes krijimit të fondeve lokale.
Veseli me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka nevojë për patriotizëm ekonomik.
“Prodhuesit vendorë, produktet vendore, do të përkrahen më së shumti me fondet komunale që Partia Demokratike e Kosovës do t’i krijojë aty ku do të qeverisë. Kemi nevojë për më shumë patriotizëm ekonomik, sepse interesat ekonomike të vendit mund t’i mbrojmë edhe si konsumatorë. Duhet të bëhemi më shumë kosovarë, duke blerë dhe konsumuar më shumë produkte të Kosovës”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.