Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidat për Kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot qendrën tregtare “Albi Mall”.
Veseli bashkë me pronarin Tahir Humolli, vizitoi disa biznese që operojnë aty dhe u takuan me qytetarë të shumtë.
“Qendrat Tregtare në Kosovë janë të kompletuara dhe konkurruese me ato të metropoleve evropiane. Një e tillë është edhe “Albi Mall”, ku bashkë me pronarin Tahir Humolli vizituam disa biznese që operojnë aty dhe takuam qytetarë të shumtë. Kjo qendër dhe suksesi i saj dëshmojnë aftësitë e ndërmarrësve tanë, të cilët ecin me hapa të shpejtë përpara kur u jepet mundësia.
Në të ardhmen do të krijojmë sa më shumë hapësirë dhe mundësi që bizneset e tilla të zgjerohen dhe të punësojnë edhe më shumë të rinj. Po ashtu, prioritet kryesor për mua është mbështetja e sektorit të prodhimit, që këto qendra të mbushen me produkte vendore cilësore. Vetëm me një sektor privat të suksesshëm, ne mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë në vendin tonë”, ka shkruar Veseli në Facebook.