Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilevci, dhe kandidatin për kryetar të Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci, kanë vizituar Kompleksin metalurgjik “Ferronikeli”, me ç’rast u takuan me drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje.
I pari i Kuvendit i dha mbështetje menaxhmentit, duke thënë se presin zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, por edhe rritjen e numrit të punëtorëve.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë përkrahjen për këtë fabrikë, duke siguruar se me PDK-në në pushtet, “Ferronikeli” nuk do të bankrotojë asnjëherë.
Ndërsa shtoi se institucionet e vendit do t’i japin përkrahje të fuqishme çdo investitori të huajë që vjen në Kosovë.
“Fusha ambientale ka përmirësime shumë të mëdha në vënien e filtrave, por në të njëjtën kohë mendojmë edhe mbeturinat minerale të cilat janë aktualisht këtu dhe emitojnë grimca toksike edhe ato të rregullohen. Presim zgjerim të Feronikelit që të kemi edhe prodhim më shumë për eksport, por në të njëjtën kohë të kemi edhe të punësuar më shumë në regjionin e Drenasit”.
Kandidati nga radhët e PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se si kryetar do të japë të gjithë mbështetjen dhe do të bashkëpunojë ngushtë me menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje, ngase sipas tij, është interes i vetë qytetit të Drenasit.
“Një fushë e rëndësishme që është për neve bashkë me Komisionin Evropian, është implementimi i ngrohjes qendrore, ku do të kemi një bashkëpunim me Feronikelin, sepse ujin e ngrohtë do ta marrim nga këtu për qytetin e Drenasit”.
Realizimin e projektit të ngrohjes qendrore për qytetarët e Drenasit e konfirmoi edhe ministri Stavileci.
“Së shpejti do të fillojmë me realizimin e projektit të ngrohjes qendrore për Drenasin, me përkrahjen e Komisionit Evropian”, konfirmoi ministri Stavileci.
Aty është parë edhe ish kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, i cili u dënua ditë më parë për krime lufte.