Lidhja e Pensionistëve të Kosovës ka shënuar 70 – vjetorin e themelimit. Me këtë rast këta të fundit kanë organizuar një akademi solemne ku të pranishëm përpos pensionistëve ishin edhe figura institucionale.
Kjo akademi ka filluar me intonimin e himnit shtetëror.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, tha se Republika e Kosovës e ka për obligim që pensionistëve të saj, të cilët dje punuan për pavarësinë e saj, sot t’u garantojë pleqëri të pavarur, raporton Ekonomia Online.
Para qindra pensionistëve, pjesëmarrës në këtë Akademi, kryeparlamentari Veseli theksoi se Kosova përfundimisht duhet ta ketë të konsoliduar sektorin e veçantë institucional të përkujdesjes së gjithanshme për të moshuarit e saj: të ardhura dinjitoze, strehim të garantuar, përkujdesje shëndetësore, duke përfshirë lehtësirat e plota në barna dhe rehabilitim.
“Jeta dinjitoze e pensionistëve dhe gjithë kategorisë së të moshuarve është pjesë e pandashme e perspektivës zhvillimore të Kosovës. Ju punuat për të ardhmen tonë, prandaj ardhmja nuk ka kuptim pa respektin njerëzor dhe institucional për ju”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Ai shtoi se hapat e deritanishëm që janë bërë në këtë drejtim janë të pamjaftueshëm, ndërsa arsyetimet e mungesave buxhetore nuk mund të justifikojnë ata që duan të marrin përgjegjësi, por janë të paaftë të gjejnë zgjidhje për problemet e qytetarëve. Veseli tha se pensionistët e Kosovës nuk janë kategori e lëmoshës sociale, por pjesa krenare e identitetit tonë shtetëror.
Duke i shprehur mirënjohjen për punën e tyre të palodhshme në të mirë të vendit dhe lirisë së tij, kryeparlamentari Veseli tha se në çdo përgjegjësi institucionale që do të jetë, dera e tij do të jetë gjithmonë e hapur për pensionistët, jo vetëm për problemet, por edhe për idetë dhe këshillat e tyre.
“Ju përfaqësoni atë gjeneratë të ndritshme, që me punën tuaj, me djersën, mundin, sakrificat e panumërta, e ndërtuat Kosovën. Me punën tuaj ju e shkruat historinë e Kosovës. Me përkushtimin tuaj atdhetar ju edukuat brezin e ri, i cili mori përsipër ta bëjë realitet ëndrrën historike të popullit tonë për liri e pavarësi”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës Shaban Kajtazi tha se sistemi pensional në Kosovë ka filluar pas luftës së Dytë Botërore.
“Pas luftës së dytë Botërore gjendja ishte shumë e vështirë, baza e industrisë mungonte, 90% e popullit nuk dinte shkrim e lexim e varfëria që e kaploi Kosovën ishte e madhe. Kosova në atë kohë ishte vend agrar, Kosovës i mungonte energjia pra populli u ballafaqua me shumë sfida”, ka thënë ai.
Kajtazi tha se edhe përkundër rezultateve sot populli i Kosovës dëshiron zhvillim edhe më të shpejtë, pensione më të mëdha, luftë kundër korrupsionit e nepotizmit.
Ai tha se ende nuk është arrit zgjidhja e qëndrueshme për pensionistët.
“Qeveria dhe Kuvendi duhet të bëjnë reforma rrënjësore, te sigurohet sistem i qëndrueshëm financiar, të njihet stazhi i punës”, ka thënë ai.