Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka shtruar sonte iftar për përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, nxënës të Medresesë, artistë dhe personalitete tjera, në nder të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Në një fjalë rasti para tyre, kryeparlamentari Veseli tha se Ramazani është muaji që simbolizon vlerat më universale të moralit njerëzor. Ai tha se përmes agjërimit, ne jemi më afër Zotit dhe më afër njëri-tjetrit, ndërsa dëshmojmë se forca shpirtërore është më e madhe se interesat materiale.
“Besimi është forca shpirtërore që mposhtë etjen dhe urinë. Është forca që mposhtë pengesat dhe dëshpërimin që shpesh herë i sjellin sfidat e jetës. Është shpresa për të ardhmen, që i bën njerëzit e popujt të qëndrueshëm përballë sfidave të historisë”, theksoi Veseli.
Ai shtoi se populli ynë e njeh më së miri forcën e besimit. Veseli tha se duke besuar te liria, ia arritëm asaj.
“Ne besuam te shteti dhe sot e kemi shtetin e pavarur dhe sovran. Ne besojmë tek e ardhmja jonë euro-atlantike dhe do t’ia arrijmë asaj. Të gjithë së bashku, si komunitete dhe bashkësi fetare jemi të përkushtuar për vendin dhe të ardhmen e tij”, tha kryetari i Kuvendit.
Veseli tha se Bashkësia Islame e Kosovës historikisht ka qenë një institucion në shërbim të atdheut e kombit, dhe e e tillë është edhe sot.
Në vazhdim, kryetari i Kuvendit të Kosovës kujtoi hoxhallarët që në kohë e rrethana të ndryshme, kontribuuan e dhanë jetën për lirinë e kombin tonë, që nga Haxhi Zeka, Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Ilaz Broja e deri tek 37 hoxhallarët që ranë dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne kurrë nuk do ta harrojmë sakrificën e tyre dhe duke u nisur nga kjo, do të punojmë pandërprerë për ta bërë të sigurt lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve të Kosovës në këtë tokë të bekuar nga Zoti”, theksoi kryeparlamentari Veseli.