Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se nuk është i njoftuar për kushtëzimet të cilat i ka vë Lista Srpska për votim të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një vizite Qendrës Inovative të Kosovës (ICK).
“Një gjë duhet ta dimë të gjithë bashkërisht, nuk ka kushtëzim nga askush që mund ta dëmtojë sovranitetin dhe interesin nacional. As nuk do të ketë”, ka thënë Veseli.
Kryeparlamentari Veseli duke folur rreth demarkacionit me Malin e Zi, ka theksuar se territori i Republikës së Kosovës është i shenjt dhe “jemi të përkushtuar ta forcojmë sovranitetin e Republikës së Kosovës”.
“E rëndësishme është që të kemi raporte të mira me një fqinjë që e ka përkrahur pavarësinë e Kosovë, siç është Republika e Malit të Zi. E rëndësishme është që të ruhet partneriteti, e veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me partnerët tanë perëndimor dhe evropian. Dhe të njëjtën kohë të përfundojmë pjesën e vijëzimit të kufijve anekënd Kosovës”, ka thënë Veseli.
“Do ta përqoj një mesazh se duhet të jemi bashkë në vendimmarrje për forcimin e shtetit të Kosovës për gjërat të cilat nuk guxojmë të hapim gjëra në mes veti siç është përkushtimi jonë për shtet dhe përcaktimi jonë për sovranitet”, ka thënë Veseli.